“Albini...”: Syla e Gjinovci përplasen me komente për Lajçakun, përmendet edhe Grenelli
Rron Gjinovci, analist në KTV dhe ish-moderator me karrierë të shkurtër, ka shkruar një status, në të cilin ka intepretuar raportimet se Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të jetë më i ngarkuar i BE-së për dialogun. Në fakt, Gjinovci ka tentuar t’i japë merita për këtë zhvillim…hmmm…Albin Kurtit.
Në shkrimin e tij, Gjinovci ka shkruar se tash e tutje s’do të dëgjohet më emri i Lajçakut.
“Mirëmëngjes!
Tash e tutje s'kena me ni mo emnin Lajçak.
Albini t'bon zojë, Albini t'bon tojë” – shkroi ai.
Aspak befasuese që Gjinovci, që njihet për qëndrime të afërta me Qeverinë Kurti, synon të interpretojë një realitet në atë mënyrë që të përfitojë pushteti. Sidoqoftë, në shkrimin e Gjinovcit ka reaguar Valon Syla, analist i përhershëm në “Pressing” të T7, që njihet për opozitarizmin kundër Kurtit dhe qeverisë së tij.
Syla ka ironizuar me statusin e Gjinovcit, duke shkruar se jo vetëm Lajçakun, por pushteti e ka rrëzuar edhe Donald Trumpin, ish-president i ShBA-së.
“Hala po shkruni statusa qe me i trullave budallet a.
Ju e keni rrëzu Trumpin, jo Lajcakun. Të fortë jeni. Sidomos, kur ju rrasin sanksione” – shkroi Syla në komentin e tij.
Natyrisht, nuk mungon kundërpërgjigja e Gjinovcit, i cili e përmendi edhe Richard Grenellin, ish-emisar i përhershëm i Trumpit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Gjinovci pretendoi se ata i kanë “vargisë karrierat e shkatrrume”.
“Valon A. Syla prejt Grenellit dej te Lajçaku i kena vargisë karrierat e shkatrrume” – shkroi shkurtimisht Gjinovci.
Ndërsa në replikën e tij, Syla shkroi se “Rron Gjinovci, e keni re Hashimin ryp”, duke ironizuar me të folmen prishtinase.
Sjellim ndër mend që Radio Evropa e Lirë, duke u bazuar në burimet e saj diplomatike, ka shkruar se Miroslav Lajçak, që është i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nga shtatori do të ketë një post të ri.
Sipas raportimit, Lajçak do të emërohet ambasador i BE-së në Zvicër. Në këtë pozitë të ambasadorit, Lajçak do të nisë mandatin në Bern më 1 shtator të vitit 2024.
Në shkrim theksohet se ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në këtë pozitë.