“Albini i vjetër e i zemëruar është kthyer”: Dënohen ashpër sulmet e pabaza të Kurtit ndaj mediave
Kryeministri Albin Kurti sërish ka kritikuar mediat kosovare. Kësaj radhe ai ka zgjedhur t`i sulmon mediat vendore nga toka amerikane dhe përballë një kryeministri që nuk e njeh Republikën e Kosovës.
Derisa ka marrë pjesë në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, të kryesuar nga Presidenti i saj, njëherësh kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kryemeministri Albin Kurti ka akuzuar mediat për prodhim të lajmeve të rreme.
Madje, ai ka thënë se ato po financohen nga qeveritë e kaluara.
Sulmet e reja të kryeministrit ndaj mediave kanë nxitur reagime të fuqishme në vend.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër gjuhen e kryeministrit Albin Kurti.
“AGK-ja e sheh me shumë shqetësim një përpjekje të tillë të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument, duke hedhur akuza drejt mediave se “paguhen nga regjimet e kaluara” për kinse prodhimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave lidhur me Byronë për Verfikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme”, është thënë në komunikatën e AGK-së.
AGK-ja ka përmendur se sulmet e Qeverisë ndaj mediave kanë bërë që Kosovës të shënoi rënie drastike në renditjen për liri të shtypit.
“Në raportin e fundit të Reporterëve Pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendesh sa i përket lirisë së shtypit, andaj ftojmë Kryeministrin Albin Kurti të përmbahet nga fushata të tilla dhe nga paralajmërimet e tij politike për përndjekje dhe mësymje ndaj mediave e gazetarëve mbi aludime të pa argumentuara, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën në vend sa i përket lirisë së medias dhe ambientit të të bërit gazetari. Problematizimi i çështjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme, për të cilat pretendon kryeministri Kurti, nuk bëhet në asjnë mënyrë duke cenuar rëndë dhe pa asnjë argument kredibilitetin e mediave, si një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë në vend”, është thënë në komunikatë.
Edhe ish-kryediplomati Petrit Selimi ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti bëri thirrje që “të ndiqen parat e pista”, me të cilat, akuzoi se “regjimi i vjetër” paguan disa media në Kosovë.
Selimi përmes një shkrimi në rrjetin social “X”, ka thënë se “Albini i vjetër është kthyer”.
Sipas tij, ai po sulmon “të gjithë të tjerët që marrin frymë në Kosovë”.
“Ah. Albini i vjetër i zemëruar është kthyer. Kryeministri i Kosovës mban një fjalim në Internacionalen Socialiste në Nju Jork dhe shfrytëzon rastin për të sulmuar “regjimin e vjetër” në Kosovë (në thelb të gjithë të tjerët që marrin frymë në Kosovë). Ai kërcënon edhe mediat që me sa duket janë të gjitha të paguara nga disa forca të liga.”, ka thënë ai.
Çka tha Kurti?
Në mungesë të takimeve të nivelit të lartë, kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë pjesë në Presidiumin vjetor të Insternacionales Socialiste. Duke iu drejtuar fillimisht me fjalët “i nderuar”, kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, i cili s’e njeh Kosovën si të pavarur, në një fjalim të gjatë ai hedhë akuza të rënda ndaj mediave vendore.
Para atyre, që në këtë fjalim iu thotë “shokë”, Kurti ka folur për një “çrrënjosje të varfërisë” në Kosovë:
“Për tri vjet e gjysmë, kam pasur nderin që të shërbej si kryeministër i Republikës së Kosovës. Qeveria jonë ka pasur privilegjin dhe përgjegjësinë për kthimin e idealeve në program, projekte e veprim, të përpilimit të politikave për çrrënjosje të varfërisë, për efiçiencë dhe përballueshmëri të faturave të energjisë, rritje të mirëqenies së përgjithshme shoqërore, trefishim të subvencioneve për fermerë, edukim publik falas për të gjithë dhe një rritje prej 150% të listës së barnave esenciale”.
Në fjalinë e tij, Kurti ka gjetur hapësirë që të hedhë akuza të rënda ndaj mediave në Kosovë, duke pretenduar se disa prej tyre “paguhen me para të pista nga regjimi i vjetër”.
“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim.”, ka thënë Kurti.