Alarmet e rreme për bomba janë shpeshtuar, ekspertët thonë se janë pjesë e “luftës hibride” - NACIONALE

Alarmet e rreme për bomba janë shpeshtuar, ekspertët thonë se janë pjesë e “luftës hibride”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit, edhe Kosova muajve të fundit është bërë cak i alarmeve të rreme për mjete shpërthyese. Këto alarme kryesisht kanë cak institucionet publike. Eksperetët e sigurisë thonë se këto sulme janë nga grupe kriminale jashtë Kosovës që synojnë të krijojnë panik tek qytetarët.

Cak i këtyre sulmeve më së shumti janë institucionet arsimore, ku ditë më parë, Rektorati i Universitetit të Prishtinës u alarmua nga një alarm për bombë, mirëpo pas evakuimit të hapësirave nga policia, doli se ishte një alarm i rremë. Kjo është hera e dytë që Rektorati është cak i një alarmi të rremë për bombë. Ndërkohë që para se të alarmohet Rektorati, alarmë i rremë ishte paraqitur edhe në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejtë në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit. Ndërkohë që cak i alarmeve të rreme disa herë kishte qenë edhe stacioni i autobusëve në Prishtinë.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se kjo është një luftë hibride, që synon pasiguri tek qytetarët.

“Në kaosin ballkanik, të kombinuar me efektet e agresionit rus në Ukrainë, mendja së pari të shkon te lufta hibride, e cila mes tjerash synon krijimin e pasigurisë te qytetarët, ku shkollat si vende të grumbullimit masiv e bartin ketë pasiguri në masë të madhe. Para disa ditësh kjo ishte dukuri në Serbi dhe në Mal të Zi, ku kryeministrja serbe e cilësoi si një “akt të armiqve të Serbisë nga shkaku se Serbia nuk i kishe vendosur sanksione Rusisë”. Pas kësaj doli se organet serbe të sigurisë kishin identifikuar sinjalin e emailit të ardhur nga Rusia gjë që komplikoi edhe më shumë situatën”, spjegon Kajtazi.

Kurse Policia e Kosovës i ka thënë gazetës se janë duke zhvilluar hetime për këto raste, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim, teksa zyrtarët policorë, nuk e kanë bërë të ditur nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Ndërkohë, sipas Kajtazit, këto kërcënime mund të jenë nga grupe kriminale që tentojnë të arrijnë efekte të caktuara në zinat ku alarmohet vendosja e bombave.

“Fakti se në raste të këtilla, edhe pse policia mund të ketë vlerësim në masën 99% se bëhet fjalë për alarm të rrejshëm, ajo duhet të reagoj sipas standardit dhe protokollit për një sulm të vërtet, e që kjo ndërmarrje ka disa veprime, duke filluar që nga evakuimi, sigurimi i perimetrit i cili përfshin: ndërprerjen e komunikacionit, ndërprerjen e aktiviteteve biznisore dhe të tjera në zonën e perimetrit të sigurisë. Në këtë rast, nëse kjo përsëritet shumë herë në një zonë, dhe aty zhvillohen aktivitete të biznesit (gastronomi në këtë rast), mendja të shkon se dikujt i konvenon që frekuentimi i zonës të braktisët si shkak i frikës, dhe t’i falimentojë disa biznese”, thotë Kajtazi, i cili thekson se caku në objektet e shkollave mund të përdoret për ta kamufluar qëllimin e vërtetë.

Sipas tij kjo vepër penale është e vështirë për t’u identifikuar dhe e vështirë për tu zbuluar.

Ngjashëm me mendimin e Kajtazit, është edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Siguri, Fatmir Humolli. Sipas tij, kjo është një tendencë për ta mbajtur në tension të gjithë Ballkanin.

“Unë po e shoh që kjo është tendencë për me e mbajtë në tension krejt Ballkanin. Nuk është veç në Kosovë, derisa patëm në Serbi, patëm edhe në pjesë tjera do me thanë. Nuk është diçka tepër alarmante, më tepër është një luftë speciale që zhvillohet me kriju pasiguri në jetë të përditshme të njerëzve”, thotë Humolli për Nacionalen.

Sipas tij, nuk janë të lehta pistat e hetimit nga organet e rendit, sepse siç ai thotë “Lidhjet e internetit përmes mekanizmave të ndryshme po kanë mundësi të bëjnë lojë prej së largu dhe të shikohen me “dylbi” nga distanca”

“Derisa ka ndodhur edhe në Serbi edhe në Kosovë, mundet me qenë dhe grup mafioz që veç bëjnë për me kriju një farë dëshire shpirtërore të tyre për me i pa qysh reagojnë popullata. Nuk duhet me pasë shqetësim tek qytetarët, dhe institucionet duhet me marrë seriozisht gjithçka por jo me bo panik”, thotë Humolli.

Sipas tij ekziston një arsye e veçantë pse caku i këtyre alarmeve të rreme me bombë janë institucionet e arsimit.

“Ku grumbullohet rinia aty janë edhe caqet, dhe është një reagim më i ndjeshëm tek shoqëria. Më shumë kam përshtypjen është nje bandë mafioze ndërkombëtare se sa që ka një dorë të veçantë në mënyrë të veçantë, nuk e besoj që është dorë vendore, por institucionet duhet me qenë në krye të detyrës”, thotë ai.

Cak i alarmeve të rreme edhe rajoni

Ndër shtetet e para që pranoi kërcënime për bomba ishte Mali i Zi, i cili që nga muaji mars përballet me alarme të rreme nëpër institucione publike e private.

Qeveria e Malit të Zi javë më parë kishte njoftuar se kishte marrë një email kërcënues, ku thuhet se dërguesi është organizata “Shteti i Burrave” dhe menaxheri i saj Vladislav Podznjakov dhe se ndër kërkesat e tyre është edhe “ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi”.

Në prill arritën emaile në zyrat e komunave, të shkollave dhe policisë, që alarmojnë për vendosje të bombave në disa institucione, në lokacione si: Podgoricë, Nikshiq, Berane, Tivar, Cetinje e Budvë.

Cak i kërcënimeve ishte edhe Serbia. Objektet publike në Beograd kanë qenë cak i raportimeve për vendosje të bombave.

Alarmi i fundit i këtoj lloji ishte dhënë para tri ditëve në edicionin e nëntë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” që po mbahet në Beograd.

Pjesëmarrësit janë detyruar të dalin jashtë vendit ku ishte e paraparë të mbahej festivali.

Përveç kërcënimeve për bomba në shkollat fillore të Beogradit, kërcënime pati edhe se ishin vendosur bomba në ura në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion).

Për këto raste, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka këmbyer të dhëna përmes Europol-it dhe Interpol-it dhe me autoritetet në Suedi, Lituani, Zvicër, Rusi dhe Hungari, por edhe me kompaninë Google.

Në ndërkohë Kosova ende nuk është bërë pjesë e këtyre organizatave ndërkombëtare që lehtëson bashkëpunimin policor dhe kontrollin e krimit.

Lajme të ngjashme