Akuzat për dëbim të serbëve, “pushtimi”, kërcënimi i Vulinit: Propaganda në Serbi para fjalimit të Vuçiqit
Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka caktuar për sot në ora 18:00 një konferencë për medie, ku pritet të deklarohet rreth situatës mes shtetit që ai e drejton dhe Republikës së Kosovës. Tashmë është parë një aktivizim i propagandës kundër Kosovës, ku u përfshin zyrtarë të lartë të Serbisë, Rusisë e tabloide serbe. Mes të tjerash, Kosova është akuzuar për “dëbim të serbëve” e nxitje të luftës.
Deklarimin rreth situatës, Vuçiqi e kishte paralajmëruar pas takimit me Miroslav Lajçakun, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në 72 orët në vazhdim, do t’i adresohemi publikut dhe do të flas për atë se çka po kërkon dhe çka po pret Serbia” – kishte thënë Vuçiqi.
Kërcënimi i Vulinit
Para kësaj konference është bërë i gjallë edhe Aleksandar Vulin, zëvendëskryeministër i Serbisë, që ishte sanksionuar nga ShBA-ja për krim të organizuar. Në një deklaratë publike, Vulin nuk ngurroi të kërcënonte Kosovën.
Duke folur për situatën në Kosovë, Vulini tha se situata mund të eskalojë në çdo moment. Nëse eskalon, tha Vulini, “Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq”.
"Situata në provincën jugore serbe – siç Vulini e quan Republikën e Kosovës v.j. – mund të eskalojë në cilindo moment. Kur dhuna përdoret kundër serbëve, është e pamundshme të pritet që secili, sidomos Serbia, do të qëndrojë duarkryq e të shikojë. Natyrisht se ne s'do të bëjmë ashtu" - ka thënë Vulini, transmeton Nacionale.
Spekulimi i tabloidëve…dhe Bërnabiqi
Natyrisht, tabloidet pro regjimit të Vuçiqit nuk kanë qëndruar duarkryq, duke degjeneruar në imagjinatë. Madje, “Kurir”-i, tabloid i njohur për gjuhën kundër shqiptarëve, ka spekuluar se në tavolinën e Vuçiqit është edhe mundësia për të deklaruar një “pjesë të territorit të Serbisë”, siç ky tabloid i referohet Kosovës, si të pushtuar.
Në të njëjtën valle të paralajmërimeve dhe spekulimeve dramatike ka hyrë edhe Informeri dhe B92, po ashtu mediume të afërta me regjimin e Vuçiqit.
Një hap më tutje ka shkuar Ana Bërnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë. Bërnabiq ka bërë një akuzë të çuditshme në drejtimt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Bërnabiq e ka akuzuar Kurtin se dëshiron të fillojë një luftë.
“Më duket se situata është më e rënda deri tani, sepse Albin Kurti nuk ka zgjidhje tjetër apo rrugëdalje për politikën e tij, përveç provokimit të një konflikti të armatosur, pra të një lufte me Beogradin…Ai është i shtyrë plotësisht pas murit dhe kjo është mënyra e vetme e tij për të dalë” – tha Bërnabiq, transmeton Euroneës.
Qëndrimi i Rusisë
Një ditë para deklarimit të Vuçiqit, Rusia ka hyrë në ekucionin e spekulimeve dhe akuzave të ashpra drejt Kosovës. Siç raportoi “Danas”, medium serb opozitar, Sergei Lavrovi, ministër i Jashtëm i Rusisë, ka bërë një krahasim të rrezikshëm, duke thënë se serbët në Kosovë janë duke u “persekutuar ngjashëm” sikurse popullata ruse në territorin e Donbasit, propagandë që i parapriu pushtimit rus të Ukrainës.
“Spastrim etnik i pastër si loti. Gjithashtu, falë Zotit, pa konflikte serioze ushtarake, po tentojnë t'i dëbojnë serbët nga Kosova” – ka thënë Lavrovi, shkruan Nacionale.
Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e përmendi me emër kryeministrin Kurti, duke e akuzuar atë për “largim të serbëve nga vendlindja”.
“Në të vërtetë, kryeministri Albin Kurti po i largon serbët që jetojnë në Kosovë nga vendlindja e tyre, duke përdorur masa të rrepta. Ne e shprehim solidaritetin me komunitetin serb, u bëjmë thirrje misioneve ndërkombëtare që veprojnë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t'i përmbushin siç duhet mandatet e tyre dhe ta sigurojnë mbrojtjen e serbëve nga sulmet ndaj të drejtave dhe sigurisë së tyre. Kriza e nxitur nga Prishtina i takon Perëndimit” - tha Zakharova.
Paralajmërimi i Osmanit
Presidentja Vjosa Osmani, ishte e vetmja zyrtare e lartë Kosovës që u deklarua në lidhje me paralajmërimin e Vuçiqit. Mbrëmë në Klan Kosova, Osmani tha se çfarëdo që Vuçiq po paralajmëron, ai do të përballet me vonsmërinë e shtetit kosovar.
“Vuçiq dëshiron ta kthejë rajonin mbrapa, por do të përballet me vendosshmërinë tonë, të institucineve dhe popullit të Kosovës.” – ka thënë Osmani.
Ndaj këtyre paralajmërimeve ka reaguar edhe kryeministri Kurti duke theksuar se po bëhen në koordinim me Rusinë.
"Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike", ka shkruar ai.