Akuzat e Agim Veliut, Bulliqi: Kur të kem pak kohë, merrem edhe me të
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nuk ka pranuar të komentojë rreth kritikave të Agim Veliut lidhur me qeverisjen në Podujevë.
Veliu kishte akuzuar Bulliqin se po e qeverisë komunën me shumë skandale. Megjithatë, ky i fundit thotë se nuk ka kohë të merret fare me Agim Veliun.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Bulliqi tha se kur të ketë kohë, do të merret edhe me Veliun.
“S’kam kohë të merrem me të (Agim Veliun) dhe me këto çështje. Kur të më dalë pak kohë ndoshta merrem edhe me të”, ka thënë Bulliqi.
Sipas Agim Veliut, kryetari aktual i Podujevës po krenohet me projektet e LDK-së në këtë komunë.
“Në mungesë të vizionit qeverisës, projekteve dhe rezultateve, e vetmja gjë që prodhon kryetari aktual janë skandalet e vazhdueshme, duke shpërfaqur egon e tij të sëmurë kudo. Me logjikën e mashtrimit, kryetari aksidental i Podujevës vazhdon të rrah gjoks me projektet e trashëguara nga qeverisja e LDK-së, duke i përvetësuar e promovuar si të vetat. Propaganda dhe zhurma e ushtrisë së rrugës, të instaluar në Komunë, nuk e mbulojnë keqmenaxhimin dhe abuzimin e kryetarit aktual me administratën komunale, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën”, kishte shkruar Agim Veliu.