Aktivizohet Chollet pak ditë para takimit në Bruksel, bisedon me Kurtin në telefon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se kjo bisedë është si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.
“Gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.” – thuhet në njoftim.
Tutje u bë e ditur se Kurti ka falënderuar Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
