Ahmeti shpall fitoren: Jemi forca e dytë në vend, 19-20 deputetë, 30 mijë vota përtej VLEN-it
Kur janë numëruar mbi 90% e votave të përgjithshme në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, përmes një paraqitje të drejtpërdrejtë, Ali Ahmeti shpalli fitoren e Frontit Evropian.
Ahmeti ka bërë të ditur se dallimi i Frontit Evropian me VLEN-in është mbi 30 mijë vota.
Më tej ai tha se në bazë të përllogaritjeve të bëra bëhet fjalë për rreth 20 mandate të fituara.
"Fronti për Evropë është fitimar e krenar. Të gjithë këta aktivistë na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike, fronti evropian në shtet. Me një dallim me oponentin, e kemi pas oponent VMRO-në sepse e kanë ndihmu shumë VLEN-in. Por, dallimi është mbi 30 mijë vota. Qytetarët të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit Evropian janë për anëtarësim të pakompromistë të vendit në Bashkimin Evropian. Si alternativë e vetme, për të gjithë Maqedoninë e Veriut. Ne dalim me 19 mandate në këto zgjedhje. Sipas përllogaritjeve që kemi bë, ka mundësi që të lëvizet drejt 20 mandateve.", ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti tha se është përfaqësues i të gjithë atyre që kanë votuar.
“Edhe ata të cilët kanë votuar oponentët ne jemi përfaqësues të të gjithë atyre që kanë votuar sepse kjo është rregull e demokracisë, ne jemi përfaqësuesit legal dhe legjitim, dhe legjitimitetin na e kanë dhënë qytetarët shumica e shqiptarëve dhe komunitete te të vogla të cilët i falenderojmë, dhe është hapi i parë drejt stazave të misionit për drejtimin e vendit tonë në BE”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti theksoi se Maqedonisë së Veriut tani i duhet stabilitet, paqe, sundim i ligjit dhe fillim i negociatave për anëtarsimin e vendit në Bashkimit Evropian.
“Sot shteti jonë ka nevojë për stabiltit, dhe paqe, sundim të ligjit dhe fillim të negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë dhe mbajtjen e mbledhjeve ndërqeveritare për anëtarsimin e vendit në BE. Ne mbetemi front i fortë i anëtarsimit në BE, andaj do të doja t’i falenderoj edhe një her të gjithë votuesit dhe familjet e tyre dhe aktivistat për punën dhe kontributin në këtë proces zgjedhor”, ka thënë Ahmeti.
Edhe VLN-i pretendon fitoren
Në anën tjetër edhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN e kanë shpallur fitoren, ndonëse rezultate zyrtare po flasin ndryshe.
Bilall Kasami, njeri nga liderët e VLEN-it, ka shpallur fitoren e këtij koalicioni në disa komuna.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se këtë fitore ua dedikon të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Ai beson se VLEN do të ketë numër të barabartë të deputetëve me Frontin Evropian.
“Ajo që është e sigurt për momentin, në Tetovë fitojmë, Tearcë , Bërvenicë, Zhelinë, në komunën e Çairit, dhe në disa komuna të tjera presim rezultatin përfundimtar dhe besoj që edhe aty dalim fitues. Ende nuk kemi bërë llogaritje në deputetë por besoj që do të jemi baras në numër të deputetëve”, ka thënë Kasami.
Ai ka bërë me dije se ky koalicion nesër do t`i fillon negociatat me VMRO-në për koalicion qeverisës.
"Nesër nisin negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve", është shprehur ai.
Ndërsa, Izet Mexhiti, njëra përfaqësues tjetër i koalicionit, ka thënë se ky koalicion është fitues në kampin shqiptar.
“VLEN është fitues absolut në kampin shqiptar. Votues e qytetarë faleminderit për aktivitetin dhe qytetarinë. Faleminderit për durimin dhe rezistencën. Procesi zgjedhor nuk ishte demokratik, institucionet ishin në funksion të BDI-së. Ka pasur parregullësi dhe do të raportohen. BDI bojkotoi zgjedhjet presidenciale, jashtë çdo parimi evropian edhe pse u thirrën në Frontin Europian. Nga nesër Maqedonia e Veriut reflekton ndryshe, Ali Ahmeti u izoluar . Ali Ahmeti dhe Artan Grubi dështuan dhe do të izolohen”, ka deklaruar Mexhiti.