Agim Aliu përtej mitit: Pse gjithë kjo “zhurmë suksesi” për Ferizajn e 1001 telasheve?
Agim Aliu ishte gati i pakonkurrencë në zgjedhjet e fundit komunale. Kryetari i Komunës së Ferizajt mori afër 60% të votave nga zgjedhjet e fundit. Anëtari i PDK-së po qeveris me Komunën e Ferizajt gati tri mandate – njëri prej mandateve ishte jo i plotë, dhe tash sa ka nisur mandatin tjetër.
Në ligjërimin e medieve, qeverisja disavjeçare e Aliut përmbledhet rreth togfjalëshit “ndër kryetarët më të suksesshëm të komunave në Kosovë, nëse jo më i suksesshmi”, apo edhe si “model se si duhet të qeveriset”.
Kryetari Aliu këtë reputacion e fitoi nisur nga disa punë, por që diskutimet bëhen nga ‘perspektiva e televizionit’ dhe larg Ferizajt, bile edhe larg qendrës së qytetit, siç thonë ca ferizajas me të cilët ka biseduar gazeta Nacionale.
Nacionale ka përzgjedhur t’i përmbledhë disa pikëpamje rreth jetës në Ferizaj dhe reputacionit të kryetarit Aliu, për të cilat ka refuzuar të intervistojë politikanë, qoftë të pozitës, qoftë të opozitës.
“Është propagandë. PDK-së iu ka dashtë një model qeverisës, pas humbjeve në nivel qendror, apo humbjes së disa komunave tjera”, thotë ndër të tjera gazetari Afrim Demiri, duke shtuar se kështu janë munduar bashkëpartiakët e Aliut të thonin “shikoni se si duhet të qeveriset”.

Gazetari Demiri përmend nënkalimin e famshëm të qytetit, për të cilin thotë se ka ndarë qytetin, ani pse për çudi projekti quhet “Bashkimi i Qytetit”, dhe sipas gazetarit që për dekada ka mbuluar mediatikisht qytetin e Ferizajt, nënkalimi “ka kriju barriera mespërmes qytetit”.
“Në Ferizaj është punu, por është punu mbrapsht”, thotë arkitekti Fatos Shabani duke komentuar zërat se në Ferizaj është punuar si askund tjetër në Kosovë.
Dëme epokale janë bërë, sipas arkitektit, dhe ai shprehet pesimist se këto dëme do të mund të riparohen për shumë vite, edhe pse dyshon se mund të riparohen ndonjëherë.
Pjesëtari i shoqërisë civile, Diell Haxhimusa, diskutoi me Nacionalen për efikasitetin e administratës komunale. Hulmutuesi i ogranizatës joqeveritare INPO, pohimet e tij i mbështet mbi raportin e fundit të organizatës ku punon, organizatë e cila vazhdimisht ka përcjellë veprimtarinë e komunës.
“Komuna ka ekzekutuar pagesa për punë që s’janë kryer”, thotë ai.
Ai shton se nga kjo praktikë pësojnë qytetarët, pasi s’i marrin shërbimet ashtu siç është menduar t’i marrin. Ai vazhdon të tregojë mbi të gjeturat tjera të raportit, dhe, ndër tjera, thotë se organizata ka selektuar në mënyrë rastësore katër aktivitete të prokurimit dhe aty kanë gjetur shkelje të ndryshme ligjore.
“Kemi selektuar në mënyre rastësore 4 aktivitete të prokurimit dhe kemi gjetur shkelje te ndryshme ligjore”, thotë Haxhimusa.

Raporti i INPO-s po ashtu ka gjetur së paku një rast i cili ngrit dyshime se një kompani është favorizuar nga komuna për shkak të procedurave të prokurimit që s’i ka bërë siç duhet.
Aktivistët e të drejtave të kafshëve para pak javësh kanë organizuar protestë para komunës, duke akuzuar komunën se prej shkeljeve dhe papërgjegjësive të komunarëve, janë vrarë e abuzuar qentë endacakë, dhe se me keqmenaxhimin e komunës veçse është trashur problemi i trajtimit të qenve endacakë dhe të cilët i gjen me bollëk në Ferizaj.
Aktivistët e të drejtave të kafshëve tashmë kanë paditur Komunën e Ferizajt.
Në anën tjetër, gati me secilin që flet në Ferizaj, ta përmend kaplimin e qytetit nga mbeturinat. Ani që komuna vazhdon të mbrohet se s’e ka dorë në menaxhimin e kompanive që merren me largimin e bërllogut, qytetarët insistojnë se komuna duhet t’i gjejë zgjidhje këtij problemi kundërmues.
“Veç jepja një xhiro kah sheshi edhe e sheh”, thotë Fatos Shabani për kaplimin e Ferizajt nga bërllogu, llaf të cilin e tha të parin edhe gazetari Demiri.
Ndërsa Fortunë Haziri thotë se qytetarët tashmë po përballen me deponi mbeturinash në zonat kyçe urbane dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë e mosplanifikimit. Sipas saj, gjendja ishte keq edhe më parë kur deponitë ishin në periferitë e qytetit, kurse sot ato i gjen brenda qendrës së qytetit dhe kjo nuk është përcjellë me veprime konkrete nga komunarët.

“Duke u nisur nga shportat, që nuk i gjen askund përgjatë trotuareve në rrugët kryesore (përjashto këtu sheshin!), qytetarët nuk kanë ku të hedhin mbeturinat e vockla. Ky do të ishte minimumi i asaj që mund të investojë Drejtoria e Shërbimeve Publike për të përmirësuar gjendjen e ndotjes së hapësirave publike në Ferizaj”, thotë ajo.
Në anën tjetër, Afrim Demiri insiton se “për çdo shkrim, ama bash për çdo shkrim rreth Ferizajt, në asnjë moment s’duhet të harrohen reduktimet me furnizim me ujë të pijshëm”, pasi sipas tij, kjo është pjesë e pandashme e përditshmërisë së Ferizajt.
Për mungesën e ujit të pijshëm në Ferizaj raportojnë vazhdimisht edhe mediet lokale, ku ndër tjera sheh vazhdimisht artikuj që flasin se shumë fshatra, nëse veç janë të kyçura në sistemin e ujësjellësit, reduktimet i kanë të tmerrshme. Bile ka fshatra që për vite të tëra s’u ka pikur qezma ujë.
Gazetari Demiri, po ashtu thekson se në çdo bisedë rreth Ferizajt duhet theksuar edhe mungesa e hapësirave publike, zaptimi i trotuarve dhe zhurma e lokaleve, sidomos gjatë verës.
Por le t’i shtrojmë të gjitha me radhë!
***
Agim Aliu është në krye të komunës tash e disa vite, dhe shumë prej problemeve që mundojnë qytetarët e Ferizajt vetëm transferohen nga një mandat në tjetrin, përderisa Aliu vazhdon të jetë kryetar i komunës nga një mandat në tjetrin, bile duke fituar bindshëm me vota.
Kaosi urban dhe ndërtimet e larta që vazhdojnë, mund të shihen me sy të lirë. Me sy e me këmbë mund ta përjetosh edhe zaptimin e hapësirave publike dhe trotuarëve, këto të fundit ashtu-kështu të ngushta sa për një person. Mos të flasim për sheshet, që gati gjysma e hapësirave të tyre janë të zëna nga tavolinat e kafeneve, sidomos gjatë periudhës së verës; gati pesë muaj të vitit sheshet janë të përgjysmuara.

Si në çdo komunë tjetër, dyshimet e qytetarëve për punën e administratës komunale nuk kanë të ndalur. Pushtetarët komunalë ferizajas akuzohen se punojnë me të njofshëm dhe se i kurdisin konkurset publike për vende publike të punës. Së fundi, një rast i tillë është vërtetuar edhe nga Gjykata Themelore. Por as ankuesi nuk është duke punuar si mësues, edhe pse gjykata vërtetonte se ndaj tij është bërë padrejtësi, dhe as zyrtari i akuzuar për padrejtësi s’është larguar nga puna.
Bile, theksohen edhe dyshimet se Agim Aliu s’është me të vërtetë në krye të qeverisjes së Ferizajt, thashetheme që tash janë zëvendësuar se brenda degës së PDK-së në Ferizaj ka përplasje – të cilave duke mos pasur fakte konkrete e biseda me akterët e kësaj ndarjeje potenciale, s’do u lëshohemi përgjatë këtij reportazhi.
Komuna e Ferizajt ka probleme në planifikim dhe menaxhim siç duhet të projekteve të insvetimeve kapitale, dhe kjo shkakton probleme e rreziqe për qytetarët dhe kaos nëpër qytet.
Në gjuhën teknike e profesionale kjo kallëzon se s’ka planifikim të duhur të projekteve. Se kompanitë fituese s’janë të afta për punën që marrin, pasi kanë mungesë të dijes profesionale dhe kapaciteteve teknike. Dhe këto probleme çojnë në humbje financiare nga buxheti i komunës, dhe se vonesat e punëve e kanë shndërruar qytetin në një punishte.
Në gjuhën e përditshmërisë, pra të atyre që jetojnë në Ferizaj, kjo përkthehet në kaos nëpër qytet, bërllog, zhurmë dhe dyshime se komunarët ferizajas janë të paditur për përgjegjësitë që kanë marrë. Por, ka nga ata që edhe ngrisin dyshime se ka lidhje abuzive me bizneset që përfitojnë kontrata.
Mbi të gjitha, në gjuhën e atyre me të cilët foli Nacionalja, fitoret e njëpasnjëshme të Aliut shihen si mungesë e opozitës përnjëmend në Ferizaj, se sa që tregojnë punën e mirë të kryetarit Aliu.
“I dyti mas Agimit është ndërtimtar vetë”, thotë një kamarier përderisa dëgjonte një prej intervistave të Nacionales. Ai aludonte për kundërkanditatin e Agim Aliut në zgjedhjet e fundit, e që ishte Valon Ramadani nga Vetëvendosje.
Fasadë e murale, reputacion të mirë por edhe “barrierë mespërmes qytetit”
Ju kujtohet projekti madhor i ashtuquajtur “Bashkimi i Qytetit”? Ende s’është përfundu.
Më 8 korrik 2021, Agim Aliu para qindra qytetarëve u shpreh se “sot Ferizaj ka festë” dhe se ky projekt 6-milionësh u bë pasi “Ferizaj kishte borxh të mos ndajë qytetarët dhe ekonominë në dy krahët e tij [prej hekurudhës]”.
Projekti i përuruar tre muaj para zgjedhjeve lokale të 17 tetorit 2021, sipas Aliut, “befasoi edhe skeptikët, për të cilët kjo ishte vetëm një ëndërr”. Entuziazmi i Aliut për projektin u përcoll me ceremoni glamuroze, kamera e media, bile edhe koncerte nëpër hapësirat e nënkalimit.
Projekti i shumëpërfolur, senzacion medial, përfshi edhe ato sociale, paraqitej si sukses i hatashëm – ndoshta si projekti më i rëndësishëm në Ferizaj pas hekurudhës përreth së cilës edhe u themelua qyteti i Ferizajt mbi 100 vjet më parë.
Ama ky projekt ende s’ka përfunduar në plotni, anipse është prerë shiriti 9 muaj më parë. Punimet e vrazhda vazhdojnë dhe zhurma e dritat e koncerteve e duartrokitjet sot janë zëvendësuar me zhurmat dhe pluhurin e ekskavatorëve.
Nga punimet mbi sipërfaqe është shpërfytyruar qyteti dhe është krijuar tollovi. ‘Bashkimit të Qytetit’ edhe i hi uji kohë pas kohe. Atëherë kur ka shi e borë pak më shumë, dyshemeja e nënkalimit, kah pjesa e këmbësorëve, mbushet me ujë.
Mbi të gjitha, projekti i bashkimit të qytetit s’po shihet se e ka zgjidhur problemin e komunikacionit në Ferizaj.

“Nënkalimet bëhen për t’i larguar veturat nga qendra e tollovia, ndërsa na e shohim se ky nënkalim vetëm të fut nga një tollovi në tjetrën”, thotë Fatos Shabani, përderisa vazhdon të thotë se sidomos gjatë verës vërehet se për kah aspekti i ‘çlirimit të komunikacionit’ nënkalimi ka dështuar të përmbushë pritshmëritë për të cilat edhe janë investuar ato miliona euro.
Sipas arkitektit nga Ferizaj, ky projekt si gati të gjithë tjerët, nuk është planifikuar si duhet, dhe nuk është ekzekutuar si duhet, si dhe janë vonuar punimet, por edhe konceptimi i projektit është i gabuar dhe s’ka ofruar zgjidhje për problemet që ka tentuar t’i zgjidhë.
Shabani përmend edhe parkingun brenda nënkalimit, të parë si zgjidhje dhe hapësirë të re për vetura. Arkitekti insiston se bash ky parking është shembull për planifikimin amatoreskt që bëhet në Ferizaj, pasi thotë se dy hyrjet e tij janë në mes të tollovisë, dhe se kështu s’zgjidhet problemi i tollovisë së veturave.
Afrim Demiri e ka hallin e këmbësorëve.
“Bashkimi i Qytetit” është barrierë mespërmes qytetit dhe me efekt të kundërt me zgjidhjen që është menduar [të ofrohet]”, insiston gazetari.
“Veçse kanë filluar zërat se tash duhen edhe tri nënkalime tjera, pasi është bërë e pamundur lëvizja e qytetarëve, pasi janë ngritur barriera përreth hekurudhës, çka edhe e pamundëson lëvizjen nga njëra pjesë e qytetit në tjetrën. Pjesët ku mund të lëvizin qytetarët tashmë janë limituar në vetëm dy”, thotë gazetari nga Ferizaj.
Ai thotë se tash qytetarët që duan të lëvizin nga njëra anë e hekurudhës në anën tjetër, do të duhet të kalojnë pengesa, dhe kjo na tregon se qyteti është ndarë në fakt, dhe jo bashkuar siç pretendojnë komunarët. Ai beson se hekurudha do të duhej të futej nën një nënkalim, pasi më nënkalimet nuk janë zgjidhje që ofrohen për këmbësorët.
E vështirësitë për të ecur nëpër Ferizaj e ke nga të gjtha anët.
Zakonisht trotuaret, ashtu-kështu të ngushta, janë të nxëna, qoftë me reklama të bizneseve, qoftë me ndërtime në hapësirat që janë paraparë të jenë trotuare. Apo edhe nga kantierët e ndërtimit që sot i gjen pothuajse në secilën lagje të Ferizajt – bile edhe aty ku dikur s’besohej se do të lejohej ndërtim i lartë ndonjëherë – dhe që makineritë e punës apo materiali ndërtimor vendoset kryesisht nëpër trotuare apo cepet e tyre.
Fatos Shabani thotë se ndërtimet kanë bërë dëme tashmë të pariparueshme për qytetin. Arkitekti që edhe vetë është pjesë e industrisë së ndërtimit, thotë se mungesa e planeve urbanistike ka bërë që të lëshohen leje ndërtimi që tmerrësisht e kanë ngulfatur jetën në qytet.

Arkitekti çuditet se si mund të jepen leje në hapësira kaq të ngushta dhe të cilat dihet se veçse do t’i bllokojnë ato lagje ku ndërtohen. Ai përmend se shumica e këtyre ndërtesave nuk parashohin të ndërtojnë vendparkingje, hapësira të gjelbra, bile as trotuare, e edhe nëse ndërtohen, ato janë jo sipas parametrave të përshtatshëm e të kërkuar me standarde profesionale.
“Nuk mundemi me ia lënë fajin vetëm kësaj qeverisjeje. Të gjitha qeverisjet [lokale të deritanishme në Ferizaj] janë të përfshira në dëmin që i është bërë qytetit me ndërtime. Mirëpo, viteve të fundit janë shtuar ndërtimet”, thotë Shabani.
“Komuna është dashtë të shpallë tender ndërkombëtar për plan urbanistik, pasi s’besoj që kemi kapacitetet e duhura që ne të bëjmë plane të duhura urbanistike”, thotë Shabani, duke shtuar se qeverisja e tanishme në Ferizaj s’po merr këtë hap, dhe kjo mund të vijë nga mosdija e tyre, apo edhe se dikujt i ka konvenuar kjo gjendje kaotike e ndërtimeve.
“Këqyreni ‘Lagjen e Re’. Kjo lagje ka qenë ikonike në Ferizaj, bile edhe më gjerë. Edhe në ish Jugosllavi është përmendë si model. Kjo lagje është ndërtuar sipas planeve, me rrugë të gjera, me hapësirë, me çerdhe, me gjelbërim, e sot e kanë rrethuar ndërtesat e larta”, thotë me mllef gazetari Afrim Demiri.
Lagjja ku jeton Demiri, “Lagjja e Re”, tashmë është rrethuar me ndërtim të lartë në dy anët e saj, si kah rruga “Vëllëzërit Gërvalla”, ashtu edhe kah pjesa tjetër, rruga “Astrit Bytyqi”.
Përgjatë rrugës së lartpërmendur gjendet edhe shkolla fillore “Gjon Serreçi”. Dikur ky objekt ikonik i qytetit të Ferizajt, që mbizotëronte hapësirën rreth tij, sot është i ngulfatur nga ndërtimet e larta.
E njëjta ndodhi edhe me objektin e vjetër të gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”. Bukfalisht ky objekt është i rrethuar në katër anët me ndërtesa që arijnë deri në 10 kate. Bile, ndërtesë e lartë është ndërtuar edhe brenda tokës së ish-gjimanazit, pasi komunarët e kishin parë të arsyeshme që të këmbenin tokën e gjimnazit me një tokë tjetër në dalje të qytetit, ku edhe kishin ndërtuar një shkollë.
Të dyja shkollat gjenden 4-5 minuta larg qendrës së qytetit.

Edhe Shabani edhe Demiri insistojnë se gjendja është emergjente dhe ndërtimet duhet të ndalen menjëherë.
“Ndoshta me këqyr me shpëtu diçka, nëse veç ka mbetë dicka”, thotë Shabani, që megjithatë edhe vetë s’e beson se ky rrënim do të ndalet.
***
Përderisa ndërtimet private kanë arritur nëpër qytet, punimet e projekteve kapitale kanë ngecur tash e disa vite. Komuna është gjithnjë me ankesa dhe lë fajin tek pushteti qendror. Por as punët e tyre nuk është se i kanë kryer si duhet.
Komuna e Ferizajt ka kryer disa pagesa për projektin “Stacioni i Autobusëve”, anipse punimet ende nuk janë kryer aty.
“INPO pas daljes në vendpunishte më datë 18 shtator 2021 dhe pas shikimit të vendit të ekzekutimit të kontratës ka kostatuar se: Komuna ka paguar 300 euro për rrethimin e vendpunishtes dhe kjo ka qenë e obligueshme për operatorin ekonomik, mirëpo nuk është rrethuar vendpunishtja, komuna ka paguar 40,460 euro për mbulesën e kulmit, mirëpo punët kanë qenë në gjysmë, komuna ka paguar 1,085 euro për furnizimin dhe montimin e qelqit por qelqi nuk shihet askund në vendpunishte”, thuhet nga Diell Haxhimusa, i cili bazohet në të gjeturat e raportit të INPO-s.

Për këtë projekt janë dhënë edhe mijëra euro për punë tjera, por as ato pjesë të punëve nuk janë kryer.
Gjithashtu, komuna ka paguar 1,435 euro për ulluqet horizontale, mirëpo si kulmi, ashtu edhe ulluqet horizontale kanë qenë në gjysmë. Komuna ka paguar 180 euro për ulluqet vertikale, mirëpo ulluqet nuk kanë qenë të vendosura.
Për këtë aktivitet, INPO ka gjetur shumë parregullsi edhe në cilësinë e punëve. Është vërejtur që ulluqet e dëmtuara nga era nuk janë ndërruar nga operatori ekonomik, dhe të njëjtët ulluqe të dëmtuara janë vendosur përsëri. Po ashtu, hulumtuesit e INPO-s kanë vërejtur një sasi të madhe të ujit në bodrum dhe, sipas tyre, kjo vjen për shkak se izolimi nuk është bërë si duhet.
“Këto punë me këtë cilësi të dobët nuk është dashur fare të pranohen nga menaxheri i kontratës”, thotë Diell Haxhimusa.
Komuna ka pasur probleme me prokurimin edhe me projektin e rregullimit të kanalizimit në fshatin Kosinë, ku pa arsye ka negociuar vetëm me një operator ekonomik. Kjo kompani ka marrë edhe tenderë tjerë nga Komuna e Ferizajt. Në fakt, kjo kompani ka marrë afër 25 për qind të kontratave që komuna ka nënshkruar përgjatë vitit 2020 – rreth 5 kontrata në vlerë 5 milionë euro i ka fituar e njëjta kompani.
Komuna po ashtu ka pasur probleme me punësimin. Liron dhe Lirona Krasniqi kishin aplikuar për vend pune në një shkollë në Ferizaj. Të dytë i plotësonin kushtet për të marrë vendin e punës, mirëpo kjo s’ndodhi. Në vend të tyre punonte një person i cili nuk kishte as diplomë. Duke u gjetur në këto rrethana, Krasniqët vendosën të bënin ankesë tek inspektorati i punës, ku pretendonin se janë diskriminuar.
Inpsketorati kishte vendosur se ky rast është diskriminim, dhe kishte dënuar me gjobë komunën si dhe drejtorin e arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.