Afera e grurit dhe vajit: LDK paralajmëron themelimin e një komisioni hetimor në Kuvend - NACIONALE

Afera e grurit dhe vajit: LDK paralajmëron themelimin e një komisioni hetimor në Kuvend

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje gazeta Nacionale e publikoi edhe një audio-incizim, ku një zyrtar i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, denonconte keqpërdorimet e dyshuara me grurin e rezervave shtetërore. Pas aferës së vajit, dyshohet se u keqpërdorën disa milionë euro edhe në aferën e grurit. Në lidhje me këto dyshime, LDK-ja po paralajmëron ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar keqpërdorimet e mundshme të rezeraveve shtetërore.

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka shkruar rreth dyshimeve për abuzime me rezervat shtetërore në MINT. Ai ka shkruar se këto dyshime të ngritura, kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtësore. Andaj, ai ka paralajmëruar se LDK-ja do të kërkojë formimin e një komisionit hetimor parlamentar për të hetuar këto dyshime për keqpërdorim dhe abuzim me rezervat shtetëtore.

“Keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale me rezerva shtetërore, përkatësisht me produkte esenciale, kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore.

Në këtë kontekst, LDK me fillimin e sesionit vjeshtor do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore.” – shkruan ai.

Gashi i LDK-së theksoi se hetimi i Kuvendit, krahas hetimit të Prokurorisë së Shtetit, është i domosdoshëm.

“Kështu që, përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit për këto raste, ne konsiderojmë se është e domosdoshme që të kemi edhe hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore.” – shkruan tutje ai.

Kërkesa e opozitës për hetim

Ndryshe, e gjithë opozita ka kërkuar të hetohet ministrja Hajdari në lidhje me pretendimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një reagim në Facebook ka ngritur akuza të ashpra ndaj pushtetit pas publikimit përgjimeve.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka akuzuar qeverinë se ka "futur duart në sofrat e qytetarëve".

“Nga keqpërdorimi i qindra miliona eurove në energji, sot, Qeveria e Albin Kurtit, me emblemën e rreme të shpresës në ballë, ka futur duart edhe në sofrat e qytetarëve, duke vjedhur edhe produktet bazike ushqimore të rezervës shtetërore.” – ka shkruar Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se afëra e grurit është vulë e mentalitetit qeverisës e pushtet të përqendruar në korrupsion e keqpërdorim.

“Afera e fundit - afera e grurit - është vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqëndruar në korrupsion e keqpërdorim. Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq. Apo ka?” – ka shkruar ndër të tjera kreu i PDK-së.

Një tjetër zë kritik që ka reaguar ndaj skandalit të grurit është zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi. Ajo e ka quajtur këtë skandal një të vërtetë të dhimbshme dhe shqetësuese.

Sipas saj, kjo situatë tregon presionin dhe dhunën që ushtruan politikanët ndaj stafit civil në Ministrinë e Tregtisë.

Halimi ka theksuar se ky skandal reflekton mënyrën e qeverisjes së diktatit, duke sjellë në dukje mungesën e drejtësisë dhe të besimit të qytetarëve ndaj pushtetit aktual.

“Skandali ‘gruri’ – i raportuar në media – me ç’rast vendi mund të këtë humbur hiç më pak se gjashtë milionë euro, shpërfaqi sërish një të vërtetë të dhimbshme e shqetësuese; presionin e dhunën e ushtruar nga politika e Albin Kurtit mbi stafin civil. Personazhi i përfshirë në përgjime, Enveri, është imazhi i realitetit, ku shërbyesit civil të cilët kanë prit e përcjellë pushtete politike, i janë nënshtruar sot partisë-shtet”, ka shkruar ajo në Facebook.

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka akuzuar qeverinë për shkelje të ligjit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.

Ajo ka thënë se incizimet e tilla janë pasqyrë e qeverisë. Sipas saj, shteti u vu kundër Enver Hajrullahut që ishte për ligj e drejtësi.

“Shantazh. Intimidim. Keqpërdorim. Në fjalët e tyre: Llugë! Miliona euro të paguara, mungesë e madhe e grurit në rikthim. Enveri, zyrtari i vetëm për ligj e drejtësi. Pastaj shteti u vu kundër tij. Kjo është pasqyra e kësaj Qeverie. Abuzo e shkel, gjithçka dhe këdo që del përpara. 2 vjet, 4 muj e 10 ditë të Qeverisë Kurti II me të njëjtin sistem: Në emër të shpresës!”, - shkroi ajo.

Lajme të ngjashme