‘Afati kalimtar’ i qershorit: Nisin 'transferimet' e para nëpër parti politike, dominon Vjosa Osmani
Zgjedhjet e 7 qershorit, e kanë hapur edhe afatin kalimtar për aderime nëpër parti politike.
Në disa prej tyre, vetëm kanë nisur lëvizjet e para.
Më aktivja po del të jetë ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit deri më tash ka zyrtarizuar tre emra që do të jenë pjesë e listës, me gjasë të LDK-së.
E para ishte Fahrije Hoti.
Lajmin e ka bërë të ditur ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.
Sipas saj, Hoti do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, duke përfaqësuar një figurë të fuqishme të grave dhe një histori të veçantë të qëndresës dhe përkushtimit në vend.
Osmani e ka vlerësuar lart figurën e Hotit, duke theksuar se ajo mishëron forcën, ndershmërinë dhe punën e palodhur.
“Nëse një grua vendos të ngrihet, ajo e bën këtë për të gjithë”, ka shkruar ajo, duke e përshkruar Hotin si një grua të fortë, të sinqertë dhe tepër punëtore.
Osmani u ribashkua me Jeta Statovcin.
“E nisëm bashkë rrugëtimin në Kuvend. Dhe bashkë po vazhdojmë drejt Kuvendit. Jeta Statovci ishte vetëm 26 vjeçe kur mori mandatin e saj të parë, për t’u rikonfirmuar tri herë radhazi me besimin e qytetarëve, duke qenë vazhdimisht ndër deputetet më të votuara” ka shkruar Osmani në Facebook.
Pos Statovcit, te Osmani është rikthyer edhe Haxhi Avdyli nga GP i LVV-së por deputet i Guxo-s.
E së fundmi, Vjosa Osmani e prezantoi edhe psikologen, Arjeta Musliu.
Osmani ka bërë të ditur se Musliu, gjatë kohës sa ajo ishte presidente, ishte dekoruar me Urdhrin Presidencial “Shotë Galica”.
Ajo ka theksuar gjithashtu se Musliu është themeluese e qendrës “Ri-Jeta”, e cila ofron ndihmë për personat e varur nga substancat narkotike.
Këtë qendër, Musliu e ka themeluar pas humbjes së djalit të saj si pasojë e varësisë nga droga.
E fundit e transferuar nga Vjosa Osmani, është Albena Reshitaj.
"Kur u zgjodha Presidente në vitin 2021, me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi rolin e Listës serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal e pa kërkuar absolutisht asgjë! Ajo dëshmoi shumëherë, e po e dëshmon edhe sot se politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën, e gjithnjë e palëkundur para atyre që nuk e njohin Kosovën si dhe para atyre që dojnë të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar me sakrificë. Kosova ka nevojë për njerëz që dijnë të punojnë bashkë, e jo për të tillë që dojnë të shkatërrojnë njëri-tjetrin", ka shkruar Osmani.
Kurse, në PDK ka aderuar Aida Dërguti. Përmes një postimi, Bedri Hamza u shpreh se Dërguti, para se të jetë politikane, është një aktiviste e dalluar dhe qytetare e përgjegjshme.
“Sot e mirëprita në Partinë Demokratike të Kosovës, Aida Dërgutin, një aktiviste të dalluar dhe qytetare të përgjegjshme, para se të jetë politikane. Një zonjë që, për dekada me radhë, ka pasur vetëm një qëllim: t’i shërbejë Kosovës, në çfarëdo kapaciteti që i është besuar. Për Aidën, siç e dinë të gjithë, drejtësia është mbi të gjitha detyrë. Dhe, në këtë mision, do të punojmë bashkë”, ka shkruar Hamza.