Abdixhiku viziton degën e LDK-së në Ferizaj, fton për angazhim politik në parti
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vizituar ambientet e reja të degës së partisë në Ferizaj.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka folur për rritjen e LDK-së, ndërsa ka thënë se partia po merr formë në çdo degë të saj.
“Sonte, vizituam Visarin dhe degën tonë në Ferizaj. Mes miqve, bashkëpunëtorëve e veprimtarëve të Lidhjes, qëndruam në ambientet e reja të shtëpisë sonë të vjetër. Rritja e LDK-së - nëpërmjet hapjes, unitetit e vet ndryshimit - po merr formë nëpër çdo degë tonën,”- ka shkruar Abdixhiku.
Ndër të tjera, kreu i LDK-së, ka ftuar edhe gjithë ata që kanë vullnet që të bëhen pjesë e partisë, në mënyrë që të ndërtohet rruga përpara.
“Ndonëse të vetëdijshëm për punën e nevojshme përpara, arritjet e mbara si këto në Ferizaj, na japin shtytje të madhe. Sot, ftojmë secilin me vullnet për angazhimin politik, që të bëhet pjesë e jona e së bashku ta ndërtojmë rrugën tonë përpara,”- ka përfunduar Abdixhiku.