Abdixhiku takon këshilltaren e Macronit: Marrëveshja me Serbinë duhet të ketë njohjen në qendër
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Pallatin Presidencial Élysée sot ka takuar këshilltaren e Presidentit Macron, Isabelle Dumont, me të cilën ka biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.
I pari i LDK-së ka bërë me dije se zyrtares së lartë franceze ia ka shprehur qëndrimin e kësaj partie për këtë proces.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të ketë njohjen në qendër.
“Sot, në Paris, u prita në Pallatin Presidencial Élysée nga Këshilltarja e Presidentit Macron, znj. Isabelle Dumont. Shpreha falënderimet për mbështetjen e shtetit francez në të gjitha periudhat shtetndërtuese të Republikës së Kosovës. Ritheksova qëndrimet e LDK-së mbi procesin e dialogut, si një proces të cilin vendi ynë duhet ta trajtojë me prioritet si mjet drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme, me njohjen në qendër të saj. Implementimi i marrëveshjeve paraprake, komform rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk kanë alternativë. Shtrova po ashtu, domosdoshmërinë e hapjes së rrugës së re, drejt integrimit euroatlantik, me theks të veçantë, anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO; dhe mbështetjen që Franca mund ta jep në këtë drejtim”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka treguar edhe për takimet tjera që i ka pasur gjatë vizitës zyrtare në Francë.
“Gjatë ditës, në takime të ndara u prita dhe në Ministri të Punëve të Jashtme dhe në Senatin francez. Aty takova zëvendësdrejtorin për Evropën Kontinentale, z. Sylvain Guiaugue, si dhe Senatoren Sénatrice Laure Darcos, kryetare e Grupit të Miqësisë Francë – Kosovë në Senat”, ka shkruar i pari i LDK-së.