Abdixhiku para EPP-së: Na ndihmoni të anëtarësohemi në NATO, BE e Këshill të Evropës
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku po qëndron në Rotterdam të Holandës, ku po merr pjesë në Kongresin e Familjes së Partive Popullore (EPP).
I pari i LDK-së, ka mbajtur një fjalim të gjatë para pjesëmarrësve, gjatë të cilit ka folur për agresionin e Serbisë në Kosovë gjatë viteve 90-ta e aspiratat e Kosovës për t'u anëtarësuar në NATO, BE e Këshill të Evropës.
Në fakt, kërkesa kryesore e tij ishte që vendi ynë të bëhet anëtar i NATO-s dhe BE-së, duke shtuar se ka ardhur koha që të mbyllet dialogu me Serbinë, me njohjen në reciproke në qendër.
"Republika e Kosovës është angazhuar tash e një kohë të gjatë në dialog me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në mes të të dyja shteteve. Ka ardhur koha për mbylljen e kontestit me fqinjin tonë verior, i cili fatkeqësisht vazhdon të mohojnë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane.
Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara, duhet të rezultojë me njohjen reciproke të Kosovës dhe të Serbisë në kufijtë ekzistues. Kjo do të sillte paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë në përgjithësi", tha mes tjerash ai.
Përveç kësaj, Abdixhiku ka folur edhe rreth periudhave më të errëta të Kosovës, duke përmendur ngjarjet tragjike që ndodhën gjatë regjimit të Millosheviqit.
E atë kohë e ndërlidhu me situatën momentale në Ukrainë e cila po përballet me agresionin e Rusisë. Abdixhiku ka thënë se ai e kupton mirë gjendjen aktuale të ukrainasve, sepse ai vet i përket një gjenerate që e ka përjetuar të njëjtën gjë.
"Unë i përkas një prej gjeneratave të pakëta evropiane që kanë qenë dëshmitarë të agresionit, luftës dhe spastrimit etnik si pjesë e jetës së tyre. Unë e kuptoj mirë tmerrin e luftës që po përjetojnë aktualisht ukrainasit, disbalancet e fuqive dhe bukurinë absolute dhe ndjenjën e lehtësimit që vjen me mbështetjen ndërkombëtare.Në orët më të errëta të historisë së Kosovës, në pranverën e vitit 1999, kur Serbia e Millosheviqit bënte luftë e agresion kundër popullit të Kosovës, demokracitë perëndimore na qëndruan pranë. Edhe pse askush nuk mund të rikthejë jetërat e më shumë se 12,000 civilëve të vrarë, nga të cilët 1,000 fëmijë, dhe askush nuk mund të zhbëjë vuajtjet e më shumë se 20,000 grave të dhunuara dhe gjysmës së popullsisë të larguar nga vendi – drejtësia e dhënë popullit kosovar nga NATO, vendet perëndimore dhe aleatët tanë, është vendosur përgjithmonë në vetë themelin e shtetit tonë. Evropa sot e ka për detyrim mbështetjen e fortë për popullin ukrainas, i cili, ashtu si ne 23 vjet më parë, nën dëshminë e terrorit, kërkon pathyeshëm mbështetjen ndërkombëtare", shtoi tutje Abdixhiku.
Ndërkaq, në fund fare kërkoi nga anëtarët e EPP-së që të mbështesë aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
"Paqja e fituar me mund në Ballkanin Perëndimor ka për strumbullar të vetin integrimin e Kosovës dhe të shteteve të tjera nga rajoni ynë në BE. Duke pasur parasysh këtë, Kosova ka aplikuar këtë muaj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe shfrytëzoj rastin të ftoj çdo anëtar të EPP-së të mbështesë aplikimin tonë të drejtë në Këshillin e Evropës, por edhe në çdo institucion tjetër që shërben si altar i lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës është i natyrshëm dhe kështu duhet të jetë mbështetja për shtetet që mbështesin vlerat e këtij Këshilli".
E ai fjalimin në këtë kongres e përmbylli në stilin e Rugovës, ose siç i referohet ai ati themeltar i Pavarësisë:
Zoti e bekoftë Evropën!
Zoti e bekoftë EPP-në!