Abdixhiku nga Kuvendi i 10-të i LDK-së: Sot nis beteja jonë për Kosovën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij në Kuvendin e Dhjetë Zgjedhor të LDK-së, ka folur për punën e tij 2-vjeçare në krye të partisë, teksa ka kritkuar edhe qeverinë aktuale
Abdixhiku ka thënë se së bashku kanë arritur të bëjnë rrugën e ringritjes së madhe të LDK-së, duke shtuar se këto dy vite nuk kanë qenë të lehta për të.
“Dy vite e gjysmë më pas, qëndroj para jush si dëshmi e atij zotimi. Qëndroj me bindje të plota dhe të forta, se së bashku, kemi arritur të bëjmë rrugën e ringritjes tonë të madhe. Atë që e kërkonim të gjithë. Atë që besonim se do ta gjenim të gjithë.” – ka thënë ai.
Pas numrit të disa arritjeve të tij gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare në krye të LDK-së, Abdixhiku ka folur edhe për të ardhmen që duhet ndjekur LDK-ja.
Ai ka thënë se procesi i brendshëm nuk ka të bëjë vetëm LDK-në por edhe me fatin e Kosovës.
“Uroj të kuptoni, që procesi ynë i brendshëm nuk ka të bëjë vetëm me ne. Ky proces është përcaktues për fatin e Republikës, për fatin e brezave të tashëm e të ardhmen e brezave që vijnë.” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka kritikuar edhe kryeministri Albin Kurti të cilin e ka quajtur popullistë.
“Republika e Kosovës sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj. Republika e Kosovës sot udhëhiqet nga një gjuhë polarizuese, ndarëse e përçarëse që nuk lejon vendin tonë të bëjë hapat e mëdhenj. Republika e Kosovës sot vazhdon të pranojë goditje të vazhdueshme ndaj themeleve të saja mbi të cilat themele u ndërtua liria jonë si koncept veprimi politik e si e drejtë popullore; u ndërtua shtetësia jonë si produkt i një sakrifice shekullore; e vet demokracia si vlerë e popullit të Kosovës.”
“Polarizimi i shfrenuar i shoqërisë, i shtyrë nga një qeverisje popullsitë e ndarëse, jo vetëm që ka thyer kohezionin thelbësor për rritjen e vet shtetit, por gjithashtu ka mbytur frymën kolektive të vet shoqërisë; siç dhe ka mbytur aspiratat individuale të secilit. Ajo që dikur ishte një shoqëri e lidhur për nga historitë dhe aspiratat e përbashkëta, tani e gjen veten në grackën e retorikës përçarëse dhe të hendekut ideologjik.” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se pas përfundimit të garës së brendshme, fillon “beteja për Kosovën”.
“Si gjeneratë politike, do të mbahemi në mend jo më për proceset tona të brendshme, por për veprimin tonë politik kur momentet përcaktuese merrnin formë. Projekti ynë identitar, i një Kosove të pavarur e sovrane, të anëtarësuar në NATO dhe BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të, është në kërkim të veprimit tonë. Dhe ky është mesazhim im sot për ju. Sot, gara e brendshme përfundon. Sot nisë beteja jonë për Kosovën.” - ka thënë ai.