Abdixhiku me akuza të rënda ndaj figurave të fuqishme të LDK-së, u kërkon dorëheqje morale - NACIONALE

Abdixhiku me akuza të rënda ndaj figurave të fuqishme të LDK-së, u kërkon dorëheqje morale

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kërkesave të degëve të LDK-së në Pejë dhe Lipjan për dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku i ka cilësuar kërkesat si të koordinuara, ndërsa ka thënë se do të kishte qenë më korrekte që ato të bëheshin “ballë për ballë”.

“I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka pranuar se rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm, por ka hedhur akuza të rënda, të cilat në postim nuk i ka mbështetur me prova konkrete, duke përmendur “sabotim” dhe “projekt që nuk është i LDK-së”.

“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka thënë se çështjen e dorëheqjes së tij e ka trajtuar në Kuvendin e 31 janarit dhe se, sipas tij, anëtarësia ka folur qartë. Në vend të dorëheqjes së tij, ai ka kërkuar dorëheqjet morale të kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan.

“Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka shkruar Abdixhiku.

Më tej, kreu i LDK-së ka paralajmëruar se nuk do të lejojë, siç ka thënë ai, “projektet e ndarjeve të LDK-së” të marrin formë.

“LDK nuk është konfederatë e interesave lokale. As platforme e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër; sidmos e asnje partie tjetër”, ka shkruar ai.

Në fund, Abdixhiku ka ftuar anëtarësinë e LDK-së të ruajë qetësinë, duke thënë se partia do t’i kapërcejë sfidat.

“Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të ngjashme