Abdixhiku jep detaje për “Rrugën e re”: Përmban mbi 30 kapituj, ka alternativa për secilin sektor - NACIONALE

Abdixhiku jep detaje për “Rrugën e re”: Përmban mbi 30 kapituj, ka alternativa për secilin sektor

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë detaje pas takimit dy ditor të kësaj partie, ku u diskutua për programin politik “Rruga e Re”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka deklaruar se “Rruga e re” shtron vizionin e kësaj partie për vendin.

“Gjatë dy ditëve të fundit qëndruam bashkë me bartësit e ekipeve programore për të finalizuar rrugëtimin e ri që i duhet vendit tonë. ‘Rruga e re’ shtron hapur vizionin tonë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur vendin tonë tash e sa kohë; projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës - ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit.” – ka shkruar ai.

Tutje, kreu i LDK-së ka bërë të ditur se ky program i ka mbi 30 kapituj ku ofrohen alternativa për secilin sektor.

“Mbi të gjitha, ky program me mbi 30 kapituj, do të ofrojë alternativat tona për zhvillim në çdo sektor. Si program zhvillimor, puro zhvillimor, i mbështetur në ideologjinë e qendrës së djathtë, ‘Rruga e Re’ do të ofrojë jo vetëm projekte e nisma të mëdha, por dhe ide të domosdoshme të formësimit tonë shtetëror në dekadën në vijim. Për këtë jemi entuziastë të gjithë.” – tha ai.

Abdixhiku ka falënderuar të gjithë akterët jashtëpartiakë të cilët kanë “formësuar” këtë rrugëtim.

Ai po ashtu ka paralajmëruar një konventë të madhe programore, ku do të bëhet publik ky program.

“Në kohën e publikimit të programit - në një Konventë të madhe programore - dhe pas saj, jemi të interesuar të marrim dhe komente e sugjerime tjera. Ato veçse na pasurojnë, edhe në raste të mospajtimit përmbajtësor.” – tha ai.

Në fund, Abdixhiku ka shkruar si vijon:

“Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashta saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe - e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq.”

Lajme të ngjashme