Abdixhiku ia mbyll derën VV-së, për opozitën e lë gjysmë të hapur: S’jemi pjesë e asnjë qeverie pa kryeministrin - NACIONALE

Abdixhiku ia mbyll derën VV-së, për opozitën e lë gjysmë të hapur: S’jemi pjesë e asnjë qeverie pa kryeministrin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hedhur poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, ndërsa kreu i LDK-së mbylli një derë hermetikisht, një tjetër e la gjysmë të hapur – bashkëpunimin me opozitën.

Pas një mbledhjeje maratonë të kryesisë së LDK-së, Abdixhiku doli para mediave dhe deklaroi qartë refuzimin e çdo bashkëpunimi me partinë në pushtet.

Nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos me partinë në pushtet. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta (LVV)”, deklaroi Abdixhiku teksa bëri të qartë se “LDK-ja e ka të qartë pozicionin e vet politik karshi Lëvizje Vetëvendosje”.

Megjithatë, kur u pyet nëse partia e tij do të shqyrtonte një koalicion me Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Abdixhiku nuk dha një refuzim kategorik, por e lidhi çdo bashkëpunim të mundshëm me një kusht të qartë: posti i kryeministrit duhet të jetë i LDK-së.

“Qëndrimi ynë elektoral e paraelektroal ka qenë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeveria pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani.” – tha ai.

Por ai shtoi se “askush nga njerëzit e autorizuar të LDK-së nuk ka pasur asnjë kontakt me asnjërën prej partive politike në nivel të komunikimit zyrtar”

Arsyeja qendrore e këtij qëndrimit të LDK-së, sipas Abdixhikut, qëndron te fakti se ata “nuk besojnë në një qeveri afatshkurtër”, teksa e lidhi stabilitetin e saj me zgjidhjen e çështjes së Presidentit të Kosovës.

“Kemi thënë se LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër. Pra, pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra fare.” – tha Abdixhiku.

Votat me postë

Abdixhiku komentoi edhe akuzave e zyrtarëve të VV-së mbi rritjen e LDK-së në votat e ardhura me postë.

Ai tha se këto pretendime janë të pabazuara dhe nuk mund të përdoren për të zhvlerësuar procesin zgjedhor.

"Sa i përket votave të mërgatës, nuk mund të flasim me emra të përveçshëm. Ajo çfarë mund të themi është që LDK-ja është e dëshpëruar që nuk ka arritur plot 40 mijë vota siç ka projektuar më parë, për shkak të punës së madhe brenda katër viteve të kaluara," tha Abdixhiku.

Abdixhiku ftoi që çdo ankesë për procesin zgjedhor të drejtohet te institucionet përkatëse. "Për çdo ankesë, për aq sa është e drejtë dhe e bazuar, janë institucionet përkatëse, le të drejtohen aty, do t’i respektojmë. Nuk mund të pretendojmë rrënim të procesit zgjedhor vetëm se është rritur LDK-ja," tha ai.

Sipas tij, votat e mërgatës nuk mund të zhvlerësohen vetëm sepse partia në pushtet nuk ka arritur të sigurojë 51 mandate, siç kishte pretenduar.

"Nuk mund të pretendojmë zhvlerësim të votave të mërgatës për një kandidat të mërgatës, vetëm se partia në pushtet s’i ka marrë 51 mandate. Nuk është argument të thuhet se LDK-ja është rritur dhe votat janë të pavlefshme. Kjo i bie që ne s’kemi të drejtë që të rritemi," tha ai.

Lajme të ngjashme