Abdixhiku i ndan dekoratën "Ibrahim Rugova" gjeneralit Wesley Clark
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ish-gjeneralin e NATO-s Ëesley Clark.
Në këtë takim, Abdixhiku i ka ndarë Clarkut edhe dekoratën ‘Ibrahim Rugova’, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.
Ai ka thënë se kontributi i Clark është një gurthemel në historinë tonë.
“Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës. Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe.” – ka thënë ai.
Më tej, Abdixhiku ka thënë se vendosmëria dhe veprimet veprimtare Clarkut i dhanë shpresë dhe forcë një kombi të etur për liri.
“Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese që jo vetëm ndryshoi rrjedhën e historisë sonë, por edhe siguroi mbijetesën dhe të ardhmen e jetëve të panumërta - të njerëzve tanë!”
“Gjeneral Clark, kjo dekoratë jo vetëm që simbolizon vlerësimin tonë të thellë, por edhe njohjen tonë për vlerat që ju përfaqësoni – vlera që përputhen ngushtë me vizionin e udhëheqësit tonë të nderuar, Dr. Ibrahim Rugova” – ka thënë ndër të tjera ai.