Abdixhiku: Do të ndërtojmë central të ri me gaz amerikan, do të sigurojë energji të lirë për qytetarët tanë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se do të ndërtojë një central të ri në kapacitet prej 500 MV.
Përmes një video të publikuar në Facebook, Abdixhiku ka njoftuar se centrali i ri do të jetë me gaz amerikan dhe do të ndërtohet në Ferizaj, duke shtuar se do të kushtojë 500 milionë euro.
“Centrali i fundit, i ndërtuar në Kosovë ka qenë në vitin 1983, në vitin e lindjes sime. 40 vite më pas, ne duhet të shikojmë drejt së ardhmes, prandaj e kemi një plan të guximshëm, gjysmë miliardi euro, për ndërtimin e Centralit të Ri me Gaz, në qytetin e Ferizajt.” – ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku në videon e publikuar ka treguar detaje se si do të funksionojë ky projekt i Centralit.
“Centrali me Gaz në Ferizaj, do të furnizohet ekskluzivisht me gaz amerikan, sepse për neve energjetika dhe energjia, para se të jenë çështje ekonomike, janë çështje të sigurisë. Është hap i guximshëm, sepse Kosova duhet të ketë ambicie më të mëdha. Kosova duhet të projektojë të 50 vitet e ardhshme, para se të shohë për 25 vitet e kaluara.” – ka deklaruar ai.