Abdixhiku dhe LDK-ja “harrojnë” Kurtin dhe Qeverinë, në stilin e VV-së sulmojnë ulët mediat
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe partia e tij kanë “harruar” kryeministrin Albin Kurti, njeriun që ua përgjysmojë elektoratin.
Duke e injoruar keqqeverisjen dhe krizën aktuale politike, subjekti i dytë opozitar dhe lideri i saj po e gjejnë kohë për t`i sulmuar media.
Me metoda të Kurtit dhe VV-së, ata kanë etiketuar gazetarët dhe mediat.
Mbrëmë Abdixhiku me deklarata dhe sot LDK-ja me komunikata kanë sulmuar ulët mediave.
Derisa i pari i LDK-së disa gazetarëve u është referuar me termin “mercenarë”, LDK-ja sot me anë të një komunikate ka kritikuar AGK-në.
Nuk dihen arsyet, por i pari i LDK-së në çdo intervistë po atakon mediat në stilin e Albin Kurtit.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe mbrëmë.
Gjatë një interviste për emisionin “Rubikon”, Abdixhiku ka pretenduar se ka gazetarë me agjenda të fshehta.
“Ka agjenda të pastra, ata nuk janë gazetarë. Dhe kam thënë 100 herë se unë do t`i ballafaqohem vazhdimisht, shpifjet nuk kam se si t`i trajtoj ndryshe për besë”, ka thënë ai, duke vazhduar kritikat ndaj mediave.
“Kur them se edhe mercenarët duhet ta deklarojnë pasurinë, duhet ta deklarojnë pasurinë. Sepse shumë lehtë japin një shpifje pa përgjegjësi vetëm pse ju rritet atje llogaria bankare prej sponzorizueseve, kundërshtarëve të ndryshëm”, ka thënë ai.
Kjo gjuhë është dënuar sot nga AGK-ja.
Përmes një reagimi, AGK-ja e ka vlerësuar gjuhën e të parti të LDK-së si të papranueshme dhe të rrezikshme.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënon ashpër gjuhën e përsëritur akuzuese të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë. Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka folur prapë për “mercenarë medial” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”. Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”, është thënë në reagimin e AGK-së.
Ndër të tjera, AGK-ja ia ka rikujtuar Abdixhikut fuqinë e vogël elektorale, duke thënë se ai ka vetëm 13 për qind.
“Një gjuhë e tillë me kualifikime si “mercenarë” është e papërgjegjshme, e papranueshme, shumë e rrezikshme dhe mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve. Është poçacërisht për keqardhje që këto deklarata të zotit Abdixhiku vijnë në kohën që ai është në opozitë, dhe me përkrahje prej 13 %. AGK-ja e fton zoti Abdixhiku të heqë dorë nga këto spekulime dhe nëse ka fakte t’i denoncojë ato në organet përgjegjëse. AGK-ja gjithashtu e fton zotin Abdixhiku që bashkë me 14 deputetët e tjerë të partisë së tij në Kuvend, LDK të kontribuojë për një ambient të lirë medial”, është thënë në reagim.
Përgjigja e LDK-ja ndaj këtij reagimi ka qenë e shpejt.
Partisë së Abdixhiku duhet se i ka mbetur hatri që AGK ia ka përmendur përqindjen e votave që kjo parti ka fituar në zgjedhjet e fundit.
Në reagim është thënë se AGK-ja ka përdorur gjuhë dhe referenca që i përkasin debatit politik, përfshirë edhe përqindjet elektorale.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili në vend që të trajtojë me seriozitet shqetësimin e ngritur për standardin profesional dhe përgjegjësinë publike në media, zgjedh të përdorë etiketime politike dhe të delegjitimojë një qëndrim të shprehur publikisht. Në një shoqëri demokratike, kritika dhe debati publik janë pjesë e pandashme e lirisë së shprehjes. Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato bashkëjetojnë dhe forcojnë njëra-tjetrën. Është e papritur që një organizatë profesionale si AGK të përdorë gjuhë dhe referenca që i përkasin debatit politik, përfshirë edhe përqindjet elektorale. AGK nuk është subjekt politik dhe nuk i takon të bëjë vlerësime të tilla”, është thënë në reagimin e AGK-së.