Abazoviq i del në përkrahje Kurtit: S’duhet të ketë Asociacion në baza etnike - NACIONALE

Abazoviq i del në përkrahje Kurtit: S’duhet të ketë Asociacion në baza etnike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dalë në mbështetje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Ai ka deklaruar se Asociacioni nuk duhet të krijohet në baza etnike.

I pyetur në lidhje me mendimin e tij për Kurtin, theksoi se për të ka mendim pozitiv, madje shtoi se ka edhe simpati për luftën e tij kundër korrupsionit. Më tej veçoi se mbështet qasjen qytetare të Kurtit në Kosovë, sidomos në lidhje me problemet aktuale me të cilat po përballet. Abazoviq tha se e përkrah idenë e Kurtit në çështjen e asociacionit të komunave serbe, e cila sipas tij, nuk duhet të jetë e përkufizuar në baza etnike, pasi kjo pasi do shtonte përçarjet dhe do thellonte ndasitë.

Ai përfundoi se ‘në Kosovë nuk mund të ketë komuna të cilat janë serbe apo shqiptare’, pasi ato të gjitha janë të barabarta si komuna të cilat u takojnë qytetarëve pa dallim. Sipas këtij arsyetimi, kjo qasje e Kurtit është pozitive për rajonin.

I ftuar më herët në emisionin “Top Story” të Grida Dumës, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka ofruar pikëpamjet e tij politike mbi situatën në Ballkan dhe në Mal të Zi.

Sipas tij, retorika nacionaliste në ish-Jugosllavi, sidomos në Mal të Zi, shërben si maskë apo mbulojë e agjendave dhe interesave personale. Po ashtu përkujtoi se Mali i Zi është shtet multietnik dhe multifetar, pa grup homogjen, dhe në një shoqëri të tillë të drejtat duhet t’u garantohen të gjithëve në mënyrë të barabartë. Aq më shumë dikush si ai – një politikan që etnikisht i takon minorancës shqiptare- duhet të punojë në favor të barazisë së të drejtave.

Lajme të ngjashme