Abazi lë të kuptohet se Kurti po dëshiron të rrëzohet nga pushteti: Për këtë arsye e kërkoi shkarkimin tim
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka folur në konferencën e jashtëzakonshme për media.
Ai ka thënë se urdhri për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme nga kryeministri Kurti, ka ardhur me qëllim që ta nxisë atë të votojë për rrëzimin e qeverisë.
“Sigurisht kureshtja sot është për arsyen që ka sjell deri tek urdhri nga kryeministri Kurti për shkarkimin tim si kryetar i komisionit për punë të jashtme. Mendoj që ështja kryesore është që z.Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë nga qeveria dy vjet pas marrjes së mandatit. Z.Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga qeveria”, tha Abazi, raporton Nacionale.
“E përsëris edhe sot që unë nuk jap votë kundër qeverisë Kurti dhe nuk do e bëj qeverinë Kurti viktimë për t’u larguar. Kemi këtë kombinacion. Opozita nuk e rrëzon qeverinë Kurti, Grenelli nuk ekziston më, Escobar nuk është njeriu që mund të krahasohet me Grenellin, asnjë interes të vetëm nuk e ka askush që ta rrëzojë qeverinë Kurti. Është detyrë e opozitës, por ata nuk i kanë votat. As unë e asnjë deputet me integritet brenda grupit parlamentar të VV-së nuk ka interesim ta rrëzojë qeverinë”, tha Abazi.
Ai i quajti dështime epokale vendimet e qeverisë Kurti në këto dy vjet.
“Ne e unë personalisht nuk do t’ia jap kënaqësinë që të bëhem target i askujt për dështimet epokale të “dy viteve të fundit që kam ngritur në alarm. Këto janë vërejtjet e mia tash e sa kohë: Dështimi i VV-së në zgjedhjet lokale për shkak të kandidatëve që kanë zgjedhur. Zgjedhjet e brendshme në VV, vrasja e plotë e demokracisë, lënia jashtë e aktivistëve më të devotshëm të VV-së dhe vendosja e do parametri të zgjedhjeve pa asnjë debat demokratik”, tha ai.