Abazi: Beogradi ka vazhduar të dërgojë armë dhe municion në veri të Kosovës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se Beogradi ka vazhduar të furnizoj veriun e Kosovës me armë dhe municion për të krijuar situatë paiku dhe tensione.
Abazi përmes një postimi në Facebook ka thënë se këto sjelle të Beograditit i ka parë edhe në vitet ‘90 duke instrumentalizuar serbët e Kroacisë.
“E gjithë kjo që po ndodhë është një blof i Beogradit duke i detyruar Serbët të largohen nga institucionet e Kosovës. Ajo që e bën brengosëse situatën është që Beogradi ka vazhduar të dërgoj armë dhe municion në veri të vendit tonë për të krijuar situatë paniku dhe tensione. Këto sjellje të Beogradit i kemi parë edhe në të ‘90 duke instrumentalizuar serbët e Kroacisë. Këto metoda manipulimi dhe orkestrimi nuk bëjnë punë dhe duhet kuptuar që koha është për paqe, normalitet dhe progres. Këtë e duan të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”, ka shkruar Abazi.
Çka ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.