AAK mungoi në seancë, Tahiri: Nuk bëhemi pjesë e cirkut
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka shpjeguar arsyet pse kjo parti nuk mori pjesë në seancën e mbajtur për amendamentet kushtetuese.
Ai tha se AAK-ja ka mbështetur vazhdimisht idenë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, por ka vlerësuar se seanca në fjalë nuk kishte seriozitetin e nevojshëm për një çështje të tillë.
Sipas Tahirit, pushteti e shfrytëzoi këtë mbledhje për të krijuar përshtypjen se ekziston vullnet për zgjedhjen e presidentit, ndonëse, siç tha ai, mungonin kushtet e domosdoshme për votimin e amendamenteve.
“Nuk mund të votohen këto amendamente pa pasur prezentë edhe deputetë të pakicave joshumicë.
“Kjo ishte një improvizim për të bërë disa deklarata politike, për të ndryshuar kushtetutën që nuk mundet me ndodh gjysmë natën, pa diskutim paraprak”.
Tahiri ka shtuar se AAK nuk dëshiron të bëhet pjesë e, siç e cilësoi ai, një procesi që nuk i ngjan një pune serioze institucionale.
“Ne nuk bëhemi pjesë e një spektakli që më shumë i ngjan një cirku, sesa i një pune serioze”, ka thënë ai.