AAK e refuzon ftesën e presidentes Osmani; Zgjedhjet duhet të shtyhen
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Osmani sot në orën 14:30. Nga AAK i thanë Nacionales se qëndrimin e tyre sa i përket mbarëvajtjes së zgjedhjeve në veri e kanë dhënë ditë më parë.
“Qëndrimi i AAK për zgjedhjet në veri, që nga fillimi kur është hapur kjo temë, ka qenë që ato të shtyhen, sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Ky është qëndrimi jonë që e kemi bërë publik në shumë raste e deklarata, tash e sa kohë.”, i thanë nga AAK-ja Nacionales.
E si rrjedhojë AAK e refuzon takimin e presidentes Osmani.
“Andaj, ashtu si nuk kemi marrë pjesë në takimin e mëhershëm me Presidenten, nuk e vlerësojmë as tash të marrim pjesë, dhe kërkojmë që Presidentja dhe partitë e tjera politike të reflektojnë e të bashkohen me qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë tutje Lulëzim Blaka, drejtor i Informimit i AAK-së.
E me fillim nga ora 14:30 Presidentja e vendit Vjosa Osmani do t’i pres në takim të gjithë liderët e partive politike në Kosovë.
Kjo u konfirmua nga vet zyra e presidentes Osmani.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim sot në orën 14:30, partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Takimi do të mbahet në sallën C301.