A shkon “Dada Razë” në balotazh në Drenas? - NACIONALE

A shkon “Dada Razë” në balotazh në Drenas?

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Po, do të kandidoj për kryetar komune” – shkroi Petrit Hajdari, një figurë qendrore e PDK-së në Drenas dhe i votuar mbi 16 mijë herë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatura e tij, pavarësisht ende e ‘pazyrtarizuar’ ngjalli reagimin e kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili veç tjerash shkroi se ‘nëse dikush mendon se edhe Dada Razë’ i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, kjo nuk qëndron’. Çka thotë Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së për këtë?

Janë disa kritere që duhet të plotësohen për t’u kandiduar në postin e kryetarit të komunës, thotë Memli Krasniqi dhe mes tyre, janë ‘100 nënshkrime të anëtarësisë së regjistruar në databazën e partisë’ por edhe mbledhja e 10 nënshkrimeve të anëtarëve të Kryesisë së PDK-së.

E përshkruan situatën e Degës së PDK-së në Drenas me sfida të vazhdueshme ndër vite dhe një nga to – më interesantja – është se si gjithmonë nga kjo parti, dalin më shumë se një kandidat për kryetar komune.

Këtë e paralajmëron edhe Petrit Hajdari, një figurë qendrore e PDK-së në Drenas, i cili në një njoftim të para dy ditësh në Facebook, tha se ‘do të kandidojë për postin e kryetarit’ dhe se pret ta ketë mbështetjen e partisë për kandidaturën e tij.

Ndaj bindjen e fortë që hallin e qytetarit të Drenasit, nuk e kam veç unë por e ka edhe PDK-ja jonë. Prandaj, me dashamirësi ndaj projektit tonë të përbashkët, i bëj thirrje përulësisht e me respekt të thellë kryesisë dhe kryetarit të PDK-së që ta konfirmojnë kandidimin tim” – shkruan Petrit Hajdari.

Paralajmërimi për kandidaturë, ngjalli reagimin e kryetarit aktual të kësaj komune, Ramiz Lladrovci, i cili kërkon mandatin e katërt në zgjedhjet lokale të tetorit.

Nëse dikush e mendon se “edhe Dada Razë”, i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, nuk qëndron, sepse, si asnjë degë e PDK-së në Kosovë, Dega në Drenas kishte ballafaqime mjaft sfiduese” – ka shkruar Ramiz Lladrovci në Facebook.

Sfidat e vazhdueshme, ndër vite në degën e PDK-së në Drenas, i përmend edhe vetë kryetari i PDK-së Memli Krasniqi – edhe në paraqitjen e tij të fundit mbrëmë në Pressing, por flet edhe për ‘Dadën Razë’.

Unë nuk e njoh dadën Razë, por po të them edhe ty këtu, dada Razë hyn në balotazh pa asnjë telash në Drenas nën siglën e PDK-së. Me fitu nuk fiton por në balotazh hyn” - tha Memli Krasniqi.

A mund ta ‘imponojë’ Qendra e PDK-së një kandidat – kur është në pyetje një rrethanë si kjo në Drenas?

“Jo nuk mundemi sepse partia nuk është pronë private e imja, as PDK-ja e Drenasitthotë Memli Krasnqi.

Meqë po flasim, Petrit Hajdari është anëtar i kryesisë, nëse atë nuk e ka propozu kryesia e Drenasit, ajo që është sot, por ai ka të drejtë, nëse i merr mbështetjen e 100 votuesve që janë në databazën e anëtarësisë tonë ose 10 nënshkrime të kryesisë dhe plotëson kriteret që janë, vjen në Kryesinë e PDK-së dhe paraqet kandidaturën e tij, Komisioni pastaj për këto raste, i vlerëson, nëse janë dy kandidatura që plotësojnë kriteret, votohen për ta” – sqaron procedurën e kandidimit”, Memli Krasniqi.

Por ai thotë se deri sa të vendoset kandidatura, do të jetë ‘kështu një temë interesante’ dhe sqaron se ndër vite pati telashe në Degën e PDK-së në Drenas.

Besoj se derisa të vendoset kandidatura ka me qenë temë dhe interesant. Telashet në degën e PDK-së në Drenas kanë ndodhë disa herë, unë i kam trashëgu.

Një pjesë e njerëzve që kanë qenë në PDK prej themelimit, kanë dalë e kanë kundërshtu zotin Lladrovci, e kanë themeli një iniciativë të re. nuk mundemi me ua humb identitetin që kanë qenë njerëz me contribute.

Unë i kam mbledh krejt për zgjedhje nacionale dhe ju kam thënë e dua kontributin e të gjithëve për cka i falënderoj të gjithë sepse kemi marrë mbi 20 mijë vota në Drenas, ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm”, thotë Krasniqi.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, komuna e Drenasit kishte shkuar në balotazh në mes të Ramiz Lladrovcit të PDK-së dhe një figure që ‘derivonte’ nga kjo parti, Driton Ajazit me iniciativën e tij ‘Demokratët për Drenasin. Ramiz Lladrovci kishte fituar balotazhin.

Lajme të ngjashme