A po mbetet Kosova pa miq?
Shkruan: Gazeta NACIONALE
Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk mund ta pranojnë në mendjet e tyre idenë e izolimit të shtetit tonë. Jemi krijesë e SHBA-ve. Jemi krijesë e BE-së. Kemi festuar shumë më 17 shkurt 2008. Kemi festuar shumë më 17 shkurt 2009, 2010, 2011. E kështu me radhë, e kështu me radhë. Pra, “izolimi” mund të bëhet realitet, por jo edhe ide e pranueshme për këtë shumicë.
E megjithatë, mundësitë që Kosova të izolohet ndërkombëtarisht janë të mëdha. Madje, shteti më i ri në Evropë veçse është i izoluar pjesërisht duke mos pasur liberalizim vizash, anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, duke mos qenë as në rrugë për anëtarësim në BE dhe duke thithur asnjë investim serioz të huaj direkt.
Sidoqoftë, këtu po flasim për një izolim të natyrës diplomatike që mund ta linte vendin të vetëm, pa miqtë ‘e përhershëm’.
Kjo na u bë e qartë sidomos javën e kaluar pas kritikave të ashpra nga QUINT-i. SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, tok së bashku, shprehën “zhgënjim të thellë” për mos-lejimin e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.
SHBA me katër shtetet e tjera e akuzuan Kosovën se “kishte dështuar të mbronte... të drejtat e krejt qytetarëve të saj”. A mund të merrni me mend një deklaratë më të ashpër se kjo?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pranoi se ishte kritikuar ashpër ndërsa Vjosa Osmani nuk u mor fare me çështjen dhe u nis për në Katar në një forum të parëndësishëm.
E pas Osmanit, edhe Albin Kurti – që bashkëpunimin më të afërt e kishte me ambasadorin norvegjez – udhëtoi jashtë Kosovës, pikërisht në Norvegji. Kurti nuk ka pasur asnjë takim të rëndësishëm jashtë vendit, derisa vazhdon të ndërrojë datat sa i përket udhëtimit të tij në SHBA.
‘Flakaresha’ që mori Besnik Bislimi – zëvendëskryeministër – nga i dyti i Këshillit të Evropës në Strasburg e ka rritur dhimbjen në faqet e secilit prej nesh sot.
Përgënjeshtrimi publik që i ndodhi z. Bislimi na u rishfaq sot pas takimit të Kurtit me kryeministrin e Norvegjisë.
Ky i fundit, nuk ngurroi që po ashtu, publikisht të shprehte zhgënjim për qasjen e Albin Kurtit në lidhje me zgjedhjet e 3 prillit dhe dialogut.
“Marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët duhet të shmangin veprimet që dobësojnë besimin mes tyre. Prandaj e shfrytëzova këtë takim për të shprehur zhgënjimin që Kosova nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe më 3 prill, sipas mënyrës se si ishin mbajtur zgjedhjet e kaluara”, deklaroi kryeministri Støre.
Në anën tjetër, një gjë e tillë nuk është përmendur fare në komunikatën e Qeverisë së Kosovës për këtë takim.
Vitin e kaluar, gjatë Qeverisë Kurti I, nga vetë kryeministri dhe simpatizantët e tij ishte sulmuar administrata e kaluar amerikane (Trump) për mundësinë e izolimit, ku përmendej edhe tërheqja e trupave amerikane nga Kosova.
Sidoqoftë, edhe administrata aktuale (Biden) ka qenë kundërshtuese e qëndrimeve të Qeverisë Kurti, duke përfshirë edhe qëndrimin për Marrëveshjen e Washingtonit.
Së fundi, profesori amerikan dhe ish-diplomati Edward P. Joseph ishte shprehur në mënyrë eksplicite për zgjedhjet e 3 prillit se Qeveria Kurti kishte dëmtuar interesat e Kosovës dhe kishte avancuar interesat e Serbisë.