A po e përgatisin terrenin përkrahësit e VV-së për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë? - NACIONALE

A po e përgatisin terrenin përkrahësit e VV-së për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presioni i faktorit ndërkombëtar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe të 3 prillit në Kosovë, duket se ka zbutur edhe qëndrimet e përkrahësve të Vetëvendosjes. Madje, edhe të kryeministrit Albin Kurti. Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të deklaratave të zyrtarëve të Vetëvendosjes, dhe faktorit ndërkombëtar për këtë çështje.

Referendumi të cilin e organizoi Serbia më 16 janar, nuk u lejua të mbahej në Kosovë. Të vendosur në këtë qëndrim ishin nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, por edhe kryeparlamentarin Konjufca e presidenten Osmani.

Por, tash kur është afruar data 3 prill për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe, është shtuar edhe presioni ndërkombëtar. Vizita nga Shtëpia e Bardhë e nga liderët e vendeve të Evropës, por edhe komunikime me telefon, janë vlerësuar si presion ndaj qeverisë Kurti që të lejojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë.

Dallimet ndërmjet referendumit e zgjedhjeve tash kanë nisur t’i bëjnë edhe përkrahësit publik të Vetëvendosjes. Madje, njëri nga ta është edhe Taulant Kryeziu, dikur zv/ministër për Integrime Evropiane. Në një postim në Facebook, ai ka numëruar dallimet që ekzistojnë sipas tij, prej referendumit te zgjedhjet.

“Dallimi mes referendumit dhe zgjedhjeve dhe implikimet kushtetuese. Referendumi kushtetues i Serbisë në Kosovë kishte për qëllim shprehjen e vullnetit sovran të Serbisë në Kosovë dhe si i tillë ky jurdiksion nuk mund të ushtrohej në një tjetër shtet tjetër sovran dhe të pavarur, në këtë rast në Republikën e Kosovës. Ndërkaq mbajtja e zgjedhjeve nuk është çështje e sovranitetit, por e konsolidimit të institucioneve, dhe si e tillë nuk shkel rendin kushtetuese të Kosovës, sepse serbët që kanë dy shtetësi kanë dy lojalitet juridike”, ka shkruar Kryeziu.

Një qëndrim më të zbutur e pati edhe kryeministri Albin Kurti dje kur e priti në takim kancelarin e Austrisë.

“Nuk kemi diskutuar veçanërisht për çështjen e zgjedhjeve të 3 prillit që i organizon Serbia. Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit të këtij viti. Ndërkaq, nuk duam që t’ia pengojmë, që t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës, që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë, të drejtën e votës. Jemi optimist për rrugën përpara. Mund të ketë ndokush që dëshiron destabilizimin, që dëshiron ekcese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as institucioneve të Republikës”, ka deklaruar Kurti.

E për lejimin e zgjedhjeve, një marrëveshje e kërkoi edhe vetë kancelari austriak, Karl Nehammer.

“Deri me 3 prill ka ende kohë, ne po i shohim problemet, po i trajtojmë problemet, duhet t’i zgjidhim problemet. Sepse ka institucione evropiane siç është OSBE-ja, prandaj, është e rëndësishme që ne, siç e tha kryeministri, të bëjmë gjithçka që ata të mos e kenë të lehtë të shkatërrojnë diçka që është ndërtuar deri tani”, ka deklaruar Nerhammer.

Mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovës, e ka kërkuar edhe këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë një bisede telefonike që ka pasur me kryeministri Albin Kurti.

Në llogarinë e tij në Twitter, diplomati amerikan ka shkruar se për këtë çështje duhet të gjendet një zgjidhje. “Me kryeministrin Albin Kurti. E falënderova atë për mbështetjen e tij të fortë për Ukrainën dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë që do të mbahen me 3 prill”, ka shkruar Chollet.

Dite më parë, edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.

“Një ndër çështjet më të rëndësishme për këtë është forcimi i besimit në rajon. Para së gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe atyre presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, ka deklaruar ajo, gjatë një konference me kryeministrin Albin Kurti.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, në muajin e kaluar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë bërë thirrje që të mundësohet ushtrimi i së drejtës së votës në Kosovë.

Lajme të ngjashme