A mund t’i merret VV-së ‘e drejta ekskluzive’ për kryeparlamentar nga Kushtetuesja pas afatit 30 ditor?
E ke të drejtën. Nuk e shfrytëzon të drejtën. Të harxhohet e drejta. Bartet e drejta. Sepse e drejta përmban në vete edhe detyrimin. Por, kjo nuk është – ende – rasti vetëm në Kosovë. Kështu qëndron puna tash e 95 ditë me Lëvizjen Vetëvendosje që ‘të drejtën ekskluzive’ për të propozuar kandidat për Kryetar të Kuvendit, e ka shndërruar në të drejtë ‘ekskludive’ (përjashtuese) për të përmbushur detyrimet që vinë me të.
Sahati kushtetues godet fundin në ora 23:59 këtë të shtune. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përcaktoi fundin se kur “duhet” të konstitutohet Kuvendi i Kosovës, por nuk përcaktoi “çka nëse nuk” konstitutohet Kuvendi i Kosovës.
Vetëvendosja krejt logjikën juridike të Aktgjykimit të GjK-së e ndërroi (në narracion politik) me një lexim skajshmërisht alternativ dhe solipsist: me një fjali lajtmotiv “lejohet votimi i fshehtë” dhe vetëm kaq. Pjesa tjetër në duar të Avni Deharit.
Megjithatë, ka prej akterëve dhe partive politike – dhe, edhe opinionistëve – që ‘besojnë’ se Gjykata Kushtetuese – në lëndën e re të lëndës së vjetër, që e ka pranuar nga Partia Demokratike të Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – mund të bëj një ndërrim të “drejtës ekskluzive” të Vetëvendosjen e cila nuk po arrin ta materializojë.
Kontestuesja e parë e uzurpumit procedural të Vetëvendosjes, Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se beson se Vetëvendosjes mund t’i hiqet e drejta eksluzive nga Gjykata Kushtetuese.
Se në çka e bazon këtë pritshmëri, Kadrijaj nuk e tha.
“Afati po afrohet, 26 është shumë afër, dhe Kurti e ka shansin e fundit për konstituim të Kuvendit. E nëse pas 30 ditë të moskonstituimit, me gjasë do t’i jepet e drejta dikujt tjetër. Unë me gjasë i kam ra pishman edhe për ato që i kam thanë, me gjasë nuk do ta votoj asnjë kandidat të LVV-së”, tha Time Kadrijaj.
Edhe avokati Dastid Pallaska, beson se në logjikën e moskonstutimit me doemos të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosjes mund t’i merret kjo e drejtë ekslkluzive mbi arsyen e mosshfrytëzimit të saj.
“Në këto rrethana nëse Vetëvendosja ka dështuar që ta zgjedh kryetarin edhe brenda këtij afati që ia dha Gjykata Kushtetuese prej 30 ditëve, ekziston propabiliteti shumë i lartë që Gjykata Kushtetuese do ta refuzoj kërkesën e VV-së për anulimin e vendimit të Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit (...)
(...) për arsye se VV-ja edhe pse e pati të drejtën, e ushtroi në mënyrë të papërgjegjshme. Në këto rrethana, ideja kur një parti opozitare e ka nominuar një person tjetër, do të mbijetoj dhe Kuvendi do të vazhdoj me konstituimin“, tha ai në Kanal 10.
Çështja e mbetur në tre votat e Limajt
“Ofertë konkrete për bashkëqeverisje. Shpresoj këtë javë të përmbyllet dhe finalizohet marrëveshja”.
Ndonëse konferencën për shtyp dje e thirri në cilësi të kryeministrit në detyrë dhe në ndërtesë të qeverisë dhe për një temë “kërcënim nga Serbia”, Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti u pyet veç se çka po bën për konstituim të Kuvendit të Kosovës dhe deri ku kanë shkuar bisedimet me Fatmir Limajn.
Kurti nuk mundi të thotë se ka rezultate në ato bisedime dhe as pohoi që do t’ia jep postin e Kryetarit të Kuvendit, por – tha ai – “i kam bërë oferte konkrete për bashkëqeverisje”.
Tashmë kur akrepat e orës kushtetuese po godasin fundin – të shtunën – për të konstituar Kuvendin e Kosovës, Kurti kërkoi “durim” deri atëherë.
Këtë fundjavë, tha ai, do t’i dimë njërin nga dy lajmet: ose që ka marrëveshje me Fatmir Limajn ose lajmin që vendi është futur në post tridhjetë ditëshin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pasojat e të cilës nuk janë saktësuar.
“Me Fatmir Limajn kemi pasur takim, me ç’rast biseduam zhvillimet politike. Vetëvendosja dhe unë si kryetar kemi shprehur interesim e gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nisman. Kam bërë edhe ofertë konkrete për Nismën në mënyrë që gjithçakj të përbmybllet sa më shpejtë. Mirëpo kur këto bisedime të kenë rezltate finale mund të flasim”, tha ai.
“Ofertë kam bërë, nuk mund t’i shpalojë elementet përbërëse, shpresoj të kryhet këtë javë dhe për përmbyllhet. Ju kërkoj durim, se këtë fundjavë ose do ta kemo lajmin e marrëveshjes së arritur, ose lajmin se çka ndodh pas 30 ditëve”, tha ai.