A jeni bë gati për sezonë turistike?
Shkruan: Gazmend Demolli
A di dikush të më tregojë se pse gjithë këto vite nuk ka Ministri të Turizmit në Kosovë? Popullata e disa rajoneve në Kosovë dy-trefishohet gjatë sezonës verore, shëtitoret e korzot gjatë mbrëmjeve hijeshohen me qindra-mijëra të rinj e të reja nga e gjithë bota, që kanë vendosur të kalojnë pushimet e tyre në këtë vend të bukur. Gjithë spektri i ndërrmarrjeve private, restoraneve, kafiqave, butikëve, dyqaneve, çajtoreve, çebaptoreve, bëhen gati për këtë sezonë për të pritur si është më së miri turistët që vijnë. Vendasit janë bujarë, mikëpritës të buzëqeshur, gjithmonë të gatshëm me i ndërru planet e tyre për t’ua përshtatur vizitës së miqve të tyre të vjetër, po edhe janë të hapur të krijojnë miqësi të reja.
Qeveria, jo. Ende mendojnë se me dy shitës çiftelish te Sheshi, një tupan me surle te Grandi, disa çorapë të leshta dhe do tirçi, e kanë kryer misionin e tyre. Po besa edhe me ndonjë banderolë të shëmtuar “Mirësevini bashkatdhetarë”. Edhe u kry. Kryeministri del me një postim në forume shoqërore. Qaq.
Çiftelia, more, kurrë nuk ka qenë simbol i Prishtinës urbane. Unë pres të dëgjoj çifteli në Drenicë. Ose në Marec, ku kam dëgjuar tingujt e saj te livadhi i Litecit. I lenim lopët e delet me kullotë livadhit, e ne, herë ia krisnim kangës me çifteli, herë luanim top, herë pid-pidak, herë kuti-kliçkë. Jo në qendër të Prishtinës. Hajt më thuani se si mundet dikush ta vizitojë Marecin nëse nuk është mbetë askush atje me të pritë. E vendos një çifteli fallc aty te Grandi, kishe namin e bëmë, mirë se erdhët. E marrin si të natyrshme se diaspora, ashtu siç na quajnë, vjen prapë, s’ka nevojë të bëhesh gati, as të punosh, as të planifikosh gjë.
Gjeneratat e para ende kanë një lidhje të fortë me vendin, vijnë. I kanë dostat, ishat, e kanë nanën, vëllain e motrën; sillen, hanë fara, pinë birra, raki, çaj. Kënaqen. Gjenerata e dytë po ashtu, janë mësu me ardhë me prindërit dhe kanë kriju shoqëri. Vijnë me u pi me pak para, me dëgju muzikë, me u sjellë me veturë, flejnë ditën, rrinë tërë natën. Kënaqen.
Edhe ata që janë të martuar, kënaqen në Kosovë. Është një fenomen interesant shoqëror, kur vijnë në Kosovë, secili te t’vetët, bëhen disi si me kanë beqarë, burri në njëren anë me dosta tu pi tanë ditën tanë natën, tu u sjellë poshtë e lart, gruaja njësoj, darsëm-darsëm, kanagjegj mas kanagjegji, me bija, me shoqe, në kafiqa. Kënaqen.
Fëmijët? Kur janë të vegjël, në shumicën e rasteve, e kanë problem të komunikojnë me gjyshen e gjyshin, ku kanë mbetë, jo veç për shkak të gjuhës, por për shkak të distancës kulturore, dhe mungesës së hallkës që i lidh gjeneratat. Këta të vegjël, kjo gjeneratë e tretë, nesër do të rriten, dhe natyralisht Qeveria mendon se këta kanë me ardhë po aq shpesh dhe me aq dëshirë në Kosovë, edhe pse tërë pushimet që i kanë kaluar atje nuk kanë qenë fare joshëse. Mendojnë se do të blejnë çiftelia pa e përjetuar Litecin. Do të blejnë tirçi, pa e pa kurrë askënd të veshur me ta. Kanë me ble tepihë e sexhade pa e parë kurrë një vek në punë. Ndoshta. Për t'u mësitnuar, apo jo?
Pse është e nevojshme një Ministri e Turizmit? Quajeni Ministri të Mikpritjes së Vëllezërve dhe Motrave me Punë të Përkohshme Jashtë Atdheut, nëse ju vjen keq t’i thoni ashtu. QR.
Në rradhë të parë t’i ndihmoni sektorit mikpritës privat duke organizuar ngjarje kulturore lokale që do t’i jepnin gjallëri vendit, për të gjithë, sidomos për familjet, për fëmijët. Të bëjë programin e ngjarjeve, promovimin e tyre. Promovimin e objekteve me interes kulturor tradicional. Të organizojë ekskurzione nëpër fshatra ikonike, të organizojë pushimore verore kulturore për fëmijë, ku fëmijët do të mund të përvetësonin gjuhën, traditat, kulturën.
Është po ashtu koha të krijohen hapësira rekreative publike. Pishina të shumta komunale, plazhe artificiale, fusha sportive, parqe. Shikone p.sh. Zaragozën në pjesën kontinentale të Spanjës, ku i gjeni 22 pishina komunale dhe një liqen artificial me plazh të madh artificial, parqe të shumta, përpos muzeve dhe qendrave tjera kulturore e sportive, si dhe shumë tjera hapësira private rekreative. Ndoshta po mendoni se Ministria e Bujqësisë do t’i ndërtojë pishinat dhe hapësirat tjera rekreative...
Unë e shoh edhe një mision tjetër për këtë Ministri. Krijimi i një stili të pashëm vizuel arkitektural. Mund të mendohet një investim në izolimin e jashtëm të të gjitha shtëpive në Kosovë duke bërë subvencionimin e tyre, dhe në të njëjten kohë të krijohet një stil, një kod vizuel për secilin fshat. I shohim me admirim disa fshatra të bukura të cilat të gjitha e kanë një ngjyrë të fasadës, të mureve përreth, që e kanë të njëjtin lloj të tjegullave duke e krijuar një harmoni vizuele që i jep hijeshi vendbanimit. Një lloj lulesh që mbillen gjithandej, që zbukuron hapësiren vizuele. Kjo është një urgjencë edhe në nivelin energjetik, por mund të bëhet bashkë me aspektin vizuel për të krijuar një koherencë dhe identitet.
Edhe në qytete, nuk shihen ndërtesat nga anarkia e hapësirave reklamuese që janë aq të shëmtuara dhe invazive, saqë e bëjnë secilën rrugë të duket shumë e shëmtuar. Shikoni përreth... tava të pasulit 4 metra me 4. Birra sa Grandi. Meny të shkruara në gjithë vitrinën. A nuk jua vret syrin? Si është e mundur që secili të okupojë hapësirën vizuele me atë shëmti ashtu? Kjo zgjidhet lehtë, mjafton që të caktohet një taksë mujore për metër-katror, ta zëmë 100 euro për 1 metër-katror në muaj, gjysëm-metri i parë falas. E shohim pastaj se sa reklama ia vlejnë 100 euro muajin për metër.
Edhe udhëheqjet lokale, sidomos kjo e kryeqytetit, do të duhej të kishin Drejtori për Turizëm. Shumë çështje këtu janë krejt lokale. Nuk ka faj këtu veç Dafina. Kinse cool, modern, andej-këndej, popullata e Prishtinës dyfishohet a trefishohet gjatë verës, nuk ka interes për turizëm. Si do t’i sillni Tiranasit, Shkupjanët, Vlonjatët, Gjenevasit, në Prishtinë. Po flas dhe po rruj vo edhe unë, ata nuk po arrijnë një tufë qensh endacakë t’i kontrollojnë.
Javën tjetër me familje do të vijmë në Kosovë për një pushim dhjetëditor. Unë kam me u kënaqë. Po fëmijët e mij, jo edhe aq. E kam hallin se nëse ata sot nuk kënaqen, nesër nuk vijnë hiç.