A ishte e qëllimshme kjo fjali në letrën e sotme nga Zyra e Kurtit për Gjykatën? - NACIONALE

A ishte e qëllimshme kjo fjali në letrën e sotme nga Zyra e Kurtit për Gjykatën?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për ta kuptuar më shkurt: Gjykata Supreme nuk kishte ‘ekzaminuar’ juridikisht çështjen e veprës penale ose jo në rastin e rezervave shtetërore, por lirimin nga paraburgimi të tre të dyshuarve në këtë rast.

Thirrjes së Prokurorisë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti t’i përgjigjet në cilësinë e dëshmitarit (në rastin e rezervave shtetërore) dhe ftesës së Themelores së fundmi që t’i përgjigjet Prokurorisë, Zyra e Kurtit sot i është përgjigjur me një letër të gjatë.

Në të, arsyetohet veç tjerash pozicionimi i Kurtit që Prokuroria t’i shkojë për intervistim në zyrë, e jo Kurti Prokurorisë.

Por, në një fjali që përmban kjo letër, siç vërejti gazetari Lirim Mehmetaj , ka edhe një referencë të rreme (ose ‘fake neës’ të plotë).

Në fjalinë ku letra i kërkon vëmendje ‘Gjykatës së nderuar’ i jep referencë një vendimi të Gjykatës Supreme, rrejshëm, si më poshtë:

“Për më tepër, kërkojmë nga Gjykata e nderuar vëmendje mbi faktin që Kryeministri ftohet për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore të hetuar, siç është paraqitur, nga Prokuroria Speciale e lidhur me të cilin Gjykata Supreme ka hedhur poshtë çdo pretendim për vepër penale të ushtruar përmes keqpërdorimit të autoritetit zyrtar apo tjetër” – thotë Letra.

Pse kjo fjali, është një ‘fake news’ ose një fjali totalisht e rrejshme?

Në kohën kur Gjykata Supreme kishte marrë vendim – që në fakt – s’kishte të bënte me hedhjen poshtë ose jo të veprës penale, por kishte të bënte me ‘vendimin ose jo të duhur për lirimin nga paraburgimi të tre personave” në këtë rast.

Vetë mekanizmi më i njohur që verifikon faktet në Kosovë (që operon nën ombrellën e medias ‘Kallxo’), e kishte sqaruar këtë punë me paragrafin si vijon:

“Pra, vendimi të cilin e ka marrë Gjykata Supreme nuk ka të bëjë me mbylljen apo jo të lëndëve, por vendimi është marrë për të konstatuar nëse Gjykata e Apelit ka marrë vendimin e duhur kur ka vendosur që t’i lironte nga paraburgimi Irfan Lipovicën, Hafiz Garën dhe Ridvan Muharremin”, thuhej në artikullin që heq huqjen e shpërndarë në disa linqe dhe media atëkohë.

“Andaj në bazën e të gjithë këtyre që u theksuan më lartë, kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës konstaton se Gjykata e Shkallës së dytë ka paraqitur arsye të mjaftueshme në lidhje me ndërprerjen e paraburgimit, pasi që të njëjtat gjejnë mbështetje në shkresa të lëndës si dhe në dispozita përkatëse ligjore dhe kushtetuese, dhe në standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, që parashohin dhe garantojnë liritë e lëvizjes” – thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme që kishte trajtuar ankesat e palëve kundër vendimit lirues për paraburgimin e të dyshuarve.

Për ta kuptuar më shkurtë: Gjykata Supreme nuk kishte ‘ekzaminuar’ juridikisht çështjen e veprës penale ose jo në rastin e rezervave shtetërore, por lirimin nga paraburgimi të tre të dyshuarve në këtë rast.

Lexo edhe:

Lajme të ngjashme