A është frikësuese ajo që Vjosa Osmani i kërkoi botës? - NACIONALE

A është frikësuese ajo që Vjosa Osmani i kërkoi botës?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmanit i është botuar gjatë ditës së djeshme një opinion për The Economist, e që këta të fundit ia titulluan “Presidentja e Kosovës bën paralajmërim kundër rehatimit të autokratëve”.

Opinionin të përkthyer në shqip mund ta lexoni të plotë nga Nacionalja duke klikuar KËTU.

Presidentja e vendit ndante me publikun e gjerë evropian dhe botëror qëndrimet e saj për rrezikun që mund t’i kanosej Kosovës pas invazionit rus në Ukrainë.

Ky rrezik, thoshte znj. Osmani Sadriu, qëndronte konkretisht në mënyrën se si Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) po e trajtonin presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin.

Këtë trajtim ajo e përmbledh me fjalën “rehatim” ose “akomodim” (ang. appeasement).

“Rehatimi i autokratëve sot, vetëm sa i trimëron ata për nesër.” – ishte fjalia e parë e këtij opinioni nga presidentja.

Osmani krahasonte Aleksandër Vuçiqin me Sllobodan Millosheviqin, por edhe qasjen e faktorit ndërkombëtar karshi Vuçiqit me qasjen që kishin pasur karshi Millosheviqit në të kaluarën.

“Kosova i di shumë mirë pasojat e koncesioneve të bëra në kurriz të njerëzve të pafajshëm. Rehatimi i hershëm i Sllobodan Millosheviqit rezultoi në luftëra të përgjakshme në ish Jugosllavi...” – shkruante ajo.

Nuk dihet se sa qëndron ky krahasim, por znj. Osmani Sadriu në rreshtat e mëposhtëm denonconte me të drejtë bashkëpunimin e rritur ushtarak mes Rusisë dhe Serbisë.

Ajo shton që “Serbia ka zgjedhur të qëndrojë me z. Putin” për dallim nga pjesa tjetër e Evropës. Kujtojmë që Serbia së fundi u bë pjesë e shteteve që kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Për një gjë të tillë, presidenti serb Vuçiq ka marrë një telefonatë falenderimi nga zyrtarja e lartë e administratës amerikane, Victoria Nuland.

Nuk dihet se me çfarë date ishte shkruar ky opinion i znj. Osmani që u botua vetëm dje, më 14 mars.

“Në ballë të këtyre zhvillimeve, rehatimi i vazhdueshëm i z. Vuçiq nga disa ngre shqetësime serioze dhe ngre rrezik për paqen.” – ishte thelbi i opinionit të znj. Osmani Sadriu.

Këto fjali vijnë në kohën e paralajmërimit që kishte bërë edhe kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili duke justifikuar hapjen e Fondit të Sigurisë tha: “Kurrë nuk duhet të përjashtojmë mundësinë dhe potencialitetin e një agresioni serb mbi Republikën e Kosovës.”

Mundësinë e një sulmi ushtarak nga Serbia e kishte parashtruar edhe kryeministri Albin Kurti që verën e kaluar në Bruksel kishte kërkuar të nënshkruhej një zotim nga presidenti Aleksandër Vuçiq që “të dyja shtetet (Kosova e Serbia) të mos sulmonin njëra-tjetrën”.

Shumë analistë, fryrjen e çmimeve që ka ndodhur së fundi në Kosovë e kanë parë si pasojë të këtyre deklaratave nga krerët shtetërorë.

Por, këto deklarata mund të jenë problematike edhe për thithjen e investimeve të huaja direkte, e të cilat vazhdojnë të jenë tepër të pakta në Kosovë e të cilat bëhen kryesisht nga mërgimtarët tanë.

Serbia vetëm vitin e kaluar (2021) ka arritur të thithë 3.9 miliardë euro investime të huaja direkte.

Lajme të ngjashme