A e poshtëroi Osmani qëllimshëm Kurtin përmes këtyre deklaratave?
Presidentja Vjosa Osmani fillimisht e pranoi që e ka telefonuar ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier për të kërkuar shtyrje 48 orëshe të zbatimit të gjobave, e më pas, e pranoi edhe që këtë veprim, s’e ka marrë në koodinim me kryeministrin Albin Kurti. A ishte ky “poshtërim” i qëllimshëm?
Deklarata të rëndësishme janë dhënë nga presidentja Osmani gjatë një intervistë për “Rubikon” mbrëmjen e së mërkurës.
Çfarë u pyet dhe si u përgjigj?
Gazetari e pyeti presidenten fillimisht, nëse ka intervenuar institucioni që ajo drejton rreth shtyrjes së vendimit për targat.
“Pasiqë dështoi arritja e marrëveshjes, sepse z. Borrell ndryshoi në tërësi edhe propozimin e tij, atëherë e kam telefonuar ambasadorin amerikan për të kërkuar këtë 48 orësh, në fillim nga ShBA, jo vetëm 48 orësh, e kam kërkuar vetë në një telefonatë me ambasadorin Hovenier.” – ka deklaruar znj. Osmani.
Gazetari më pas sërish i parashtroi një pyetje: "Në koordinim me kryeministrin Kurti?"
Pra, presidentja, e pranoi haptas që nuk është koordinuar për këtë me partnerin e saj qeveritar, dhe me figurën politike që duket se gëzojnë raporte të mira.
"Jo, e kam kërkuar vetë..." - thotë ajo. (Mund ta dëgjoni nga minuta 46:00 e videos së mëposhtme)
Ajo thotë se në këtë 48 orësh ka kërkuar edhe përfshirje më të fortë të ShBA-ve.
“Diku pas mesnatës është marrë dakordimi nga Shtetet e Bashkuara për këtë 48 orësh, dhe pastaj kemi biseduar me kryeministrin njëkohësisht që ky të bëhet edhe një lloj pajtimi i Republikës së Kosovës...” - shpjegon znj. Osmani.
“U pajtua edhe kryeministri?”- e pyet sërish gazetari.
“Po, po, është pajtuar edhe me përfaqësuesit e ShBA-ve. Nuk ka pasur asnjëherë një hezitim që të pranohet ky propozim nga ana jonë,” – thotë tutje presidentja, përkundër që siç tha më herët propozimi ishte i vetë asaj.
