A e ndjenë peshën e saj elektorale? Pas serisë së sulmeve, Konjufca ‘e zbut zemrën’ ndaj Osmanit
Pas pesë vitesh në zyrën e të parës së shtetit dhe si aleate e parë e pushtetit të Vetëvendosjes, Vjosa Osmani tashmë veçse është në ‘ekskurzion’ elektoral nëpër vend.
Paraqitjet e saj në ambiente me përkrahës, të atmosferës së kërkim-votës, Osmani i jep në rrjete sociale si përshkrim i mbështetjes popullore ndaj saj.
Se Vjosa Osmani mund të kthehet në LDK apo të krijojë listë të veten dhe t’ia aneksojë LDK-së apo të garojë krejt më vete me atë listë, është çështje e diskutuar për muaj me radhë.
Ajo madje ka thënë se ‘mënyrën’ se si do të angazhohet politikisht ‘do t’ia lë popullit’ të ia përcaktojë dhe se po sheh të distilojë angazhimin e saj nga takimet që zhvillon në terren.
Ky ri-kthim i Osmanit, me ç’duket, po ndjehet për pasojë elektorale te krerët e Vetëvendosjes, aleate “më e madhja” e të cilëve ishte Osmani.
Pas thyerjes së madhe dhe fjalëve të ashpra denoncuese–“njerëz me qëllime të rrëzikshme”–Glauk Konjufca, i dyti i Vetëvendosjes, dje për media foli për ribashkim të mundshëm të rrugëve.
Konjufca tha se është opozita “ajo që po kalkulon” që përmes saj mund të ulin në përqindje Vetëvendosjen dhe se partia e tij e ka derën hapur për bashkëpunim të sërishëm me të.
Kjo edhe pas akuzave të Vetëvnedosjes ndaj saj për “puç” e “plan” me Edi Ramën e Grenellin, e deri, në fjalët e Albin Kurtit, që Osmani tentoi “të anulojë vullnetin e popullit” me dekret.
“Unë mendoj që rrugët tona prapë do të takohen. Gjithmonë të hapur për bashkëpunim me zonjën Osmani,” tha Glauk Konjufca.
“Në momentin që Vjosa Osmani nuk ka qenë propozim nga ana e LVV-së, ka ndryshuar kalkulimi i opozitës. Opozita do me e përfshi si element të ri në skenën tonë politike, përfshirjen e presidentes Osmani.
Ata mendojnë që kjo do ta zbriste përqindjen e LVV-së. Prej kur ka qenë ky element në garë, nuk ka pasur propozime të sinqerta, kjo është më shumë kalkulim i opozitës për zgjedhje”- tha Konjufca.
Albin Kurti as e kishte përshëndetur presidencën e saj pesë-vjeçare kur Vjosa Osmani e përfundoi mandatin më 5 prill, anipse, siç e kishte cituar Osmani atë për një vlerësim privat të dhënë si “presidentja më e mirë e shekullit 21.”
Kryeministri i vendit në një nga seancat e kohëve të fundit pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtutuese goditi Osmanin për tentim të anulimit të vullnetit të popullit me dekret.
“Dekreti i Vjosa Osmanit ishte në shpërputhje me Kushtetën e Kosovës. GjK ka folur për natyrën e Republikës sonë, dhe për kufijt që Kushtetuta i vendos çdo instititucionit. Presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit, ai nuk anulohet me dekrete. Pas qartësimit të kësaj të vërtete të pamohueshme, sot kemi detyrim të qartë: kuvendi është funksional dhe i kthehet punëve të tij,” tha Kurti.
Përplasjet e fundit
- “Le të mendojnë dy herë para se ta thonë këtë.”
Vjosa Osmani goditi Albin Kurtin po ashtu m’u në tregimin më të madh e krenar të kryetarit të qeverisë kosovare për më shumë se pesë vite: dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Vetëvendosja dhe mbështetësit e vet e projektojnë Albin Kurtin si “më të suksesshmin e dinjitetshim” kundrejt Serbisë. Por, ish-aleatja e parë e tij, Vjosa Osmani, ditë më parë në “Pressing” e sulmoi m’u në këtë temë ku Kurti projektohet e besohet e investohet si suprem.
“Le të mendojnë dy herë para se ta thonë këtë,” tha ajo. “Sepse rezultatet dihen.”
Këtu Osmaniu rikujtoi mospajtimësinë e saj kur Kurti e kishte arritur Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit pa njohje të ndërsjellë juridike, me Nenin 7 si autonomi për serbët e Kosovës dhe tejkalim të garancave të Ahtisaarit për Kishën Ortodokse Serbe.
Kësisoji, tha ajo, “rezultatet dihen,” duke mos i dhënë Kurtit atë që ky i fundit e paraqet në forumet më të larta të partisë së vet dhe qeverisë, si “arritja më e madhe në politikën e jashtme të Kosovës.”
Nuk vonoi shumë nga këto deklarata mu në tregimin më krenar të Vetëvendosjes, përkatësisht “ballafaqimin me Serbinë”, kur Osmanit i erdhën një avalansh reagimesh nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes.
Fjalët e të menduar “dy herë” iu kthyen asaj nga një deputet i VV-së, Adnan Rrustemi.
“Nëse dialogu nuk ka qenë dhe nuk është pik amë e fortë e Kurtit, atëherë pse pati nevojë presidentja të bëhej ‘gardiane’ e miqësisë me miqtë? Apo pse pati nevojë që ajo të thoshte se Kurti po luan bixhoz me aleancat?
Këto deklarime erdhën direkt si rezultat i qëndrimit të fortë në dialog dhe moskompromisit me shtrirjen e rendit në veri. Apo ndoshta vetë presidentja do të duhej të mendonte dy herë kur i tha këto fjalë?,” shkroi Rrustemi.
Reagim pasoi edhe nga Mefail Bajqinovci, deputet i VV-së, kur Osmani tha se sanksionet ndaj Kosova të vendosura nga BE në qershor të 2023’ës, i hoqi ajo kohëve të fundit nga “puna e pandalshme” vetanake e saj.
Bajqinovci iu drejtua rëndë se Osmani “ishte në linjë me Lajçakun.”
“Presidentja jo vetëm që nuk ka kontribuar në heqjen e masave, por ka qenë në të njëjtën linjë me Lajçakun, pra për tërheqje nga veriu. Nëse nuk ka harruar, Presidentja pastrimin e strukturave kriminale e quante “bixhoz”. Ky është kontributi i saj në lidhje me masat!,” shkroi ai.
Në të njëjtën vijë qëndruan edhe nga Zyra e Kryeministrit, kur këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj goditi për atë se heqja e sanksioneve është rezultat i saj.
“Edhe Kryeministri ka folur, por më shumë ka vepruar,” shkroi ai.
Osmani e jep që Kurti nuk e kandidoi për presidente si pasojë e angazhimeve të saj në politikën e jashtme dhe specifikisht afrinë e saj të madhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.