A e morën ‘izën’ nga Dejona? Deputetët e VV-së njëkohësisht i sulen Klan Kosovës dhe Devollit - NACIONALE

A e morën ‘izën’ nga Dejona? Deputetët e VV-së njëkohësisht i sulen Klan Kosovës dhe Devollit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Roli e fuqia e saj është vlerësuar si kryesorja në Lëvizjen Vetëvendosje. Madje, deputeti Haki Abazi deklaronte se Dejona Mihali ishte figura më e fuqishme brenda partisë që ka fituar mbi 50% në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

E nuk dihet nëse me ‘izën’ e Mihalit kanë shpërthyer reagimet e deputetëve të VV-së ndaj Klan Kosovës dhe Devollit. Madje, brenda pak minutash disa deputetë me radhë kanë reaguar me postime të gjata.

Disa e publikuan një dokumentar kundër Devollit. Disa e zbuluan pronësinë e Klanit, e disa iu hynë konspiracioneve duke thënë se gazetarëve po iu bëhet presion të dalin nesër në protestë.

Një ditë para protestës që mbahet nesër e ku pritet të marrin gazetarë e punëtorë medialë nga të gjitha mediat, deputetët e VV-së i janë sulur Klan Kosovë.

May be an image of 6 people and suit

I pari e nisi Artan Abrashi, deputeti i Vetëvendosjes që vjen nga Prizreni. Ai publikoi një dokumentar që e kishte realizuar Gazeta Epxress, e ku flitej për fuqinë e Devollëve në Kosovë. Pra, Abrashi i citon mediat atëherë kur i konvenojnë raportimet e tyre.

“Kontribut i rëndësishëm i Gazetës Express dikur, për të na kujtuar se kë po e mbrojnë sot në emër të "lirisë së medieve". Sekuenca nga dokumentari i vitit 2017 të titulluar "Devollistan””, ka shkruar Abrashi.

Reagimet e deputetëve të VV-së me apo pa izën e Dejonës, vazhduan me Armend Mujën. Ai duket të ketë bërë një ‘analizë’ në detaje se kush kanë qenë pronarët e Klan Kosovës.

“1.1 Me 20.08.2013 pronësia i kalon Florent Nallbani- nuk është lajmëruar apo aprovuar nga KPM 1.2 Më 04.12.2015 pronësia i kalon Nikola Gorgiev, K-Media Corporation, Maqedoni - nuk është kërkuar apo aprovuar nga KPM 1.3 08.12.2015 pronësia i kalon Seine LTD, British Virgin Island, pronarë të panjohur, nën menaxhim të shtetasit qipriot Marinos Stylianides - nuk është lajmëruar dhe as aprovuar nga KPM 1.4 Më 28.12.2018 Aleksandër Frangaj rrejshëm pretendon që është pronar i Klan Kosova dhe kërkon ripërtrirje të licences. Bordi i KPM në përbërje nga Muja Ferati, Violeta Hyseni, Xhemajl Krasniqi, Vlorë Berisha dhe Anita Muriqi e aprovojmë kërkesën për licencim, pa ditur se kush është pronari i vërtetë, siç e kërkon Ligji dhe Rregullorja e KPM për Kushtet e Licencës. 2. Neglizhenca e KPM gjatë bartjes së pronësisë/KGO Media Investments nuk deklarohet nëse është regjistruar ligjshëm në Republiken e Kosovës, siç kërkohet me nenin 4 të Ligjit të KPM 2.1 Më 09.10.2020 Klan Kosova kërkon ndryshim të pronësisë nga Aleksandër Frangaj tek KGO Media Investments, pronari Kushtrim Gojani. Aleksandër Frangaj edhe një herë rrejshëm prezentohet si pronar i Klan Kosova. 2.2 KPM në përbërje Xhevat Latifi, Granit Musliu, Violeta Hyseni, Azra Dešić dhe Maja Slavić e miraton pa ndonjë verifikim”, thuhet në postimin e gjatë të Mujës.

“3.4 Kur mediet raportuan për çështjen ‘Klan Kosova" shpk, në këtë kompani maqedonase janë bërë dy ndryshime të "gabimeve teknike", dhe atë më 16 dhe 20 qershor 2023. Në të dy herët, është ndërruar pasaporta e pronarit. Më 16 qershor 2023, pasaporta serbe është zëvendësuar me pasaportën kosovare. Kurse më 20 qershor 2023, pasaporta kosovare është zëvendësuar me një pasaportë tjetër kosovare. Me këtë rast edhe adresa nga "Hysni Zajmi", është bërë "Faik Konica". Pra, shtetësia e pronarit dhe e drejtorit të kësaj kompanie qenka bërë "Kosovo’”, ka shkruar ai më tutje.

E në këtë valë reagimesh të deputetëve të VV-së, nuk kishte si të mungonte Dimal Basha. Ai hyri në teori konspirative duke thënë se gazetarëve po iu bëhet presion të dalin nesër në protestë.

“Më shkurt, këtu kemi dy palë, qeverinë që po kërkon ligjshmëri dhe e mbron shtetin, dhe Devollët, që njihen për zhvatjen e këtij shteti tash e me dekada! Tash po thuni pas krej kësaj historie me ju besu Devollëve e jo shtetit a? Prandaj, kjo protestë veç me liri t’shprehjes nuk ka të bëj, dhe kam informacione se po iu bëhet presion gazetarëve që punojnë për shtëpi mediale me dal nesër patjetër! E dhimbshme që për një pagë i detyroni gazetarët me dal pa dëshirën e tyre. Kaq për liritë që ju i respektoni”, ka shkruar Basha.

Këtu u përfshi pak edhe ish-gazetari tash këshilltari i Arben Vitisë, Xhevdet Pozhari, duke i cituar të dhënat e Armend Mujës.

“Nime, a ka në Kosovë hala gazetarë budallenj që besojnë se krejt këto janë "gabime teknike"?! Nuk dua të besoj! Ajo që besoj është se bashkë i bën veç mllefi ndaj Albin Kurtit që nuk bën kompromise me oligarkë të cilët i kanë bërë gjithë këto gjimnastika për t'iu shmangur tatimeve. Siç mund të kenë vepruar edhe me shumë biznese të tjera të cilat i kanë në pronësi... duke përfituar për vete dhe duke e dëmtuar shtetin”, ka shkruar Pozhari.

Pavarësisht deklaratave të pakonfirmuara e konspirative të një deputeti si Basha, protesta nesër e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vjen pas reagimeve masive vendore e ndërkombëtare lidhur me Klan Kosovën.

Lajme të ngjashme