A e di VV-ja çka ndodhi me KQZ-në kur e çoi në 55%? Dikush thotë se u sulmua faqja, dikush ‘problem teknik’
Kryeprokurori i Shtetit po heton skandalin me publikimin e rezultateve në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve natën e nëntë shkurtit, kur Vetëvendosjen për disa orë e tregoi me 55 për qind, derisa kjo parti kishte marrë vetëm 40 për qind. KQZ ka thënë se ka dyshimet e veta, megjithatë, nga partia në pushtet dikush po deklaron se ishte “problem teknik”, dikush tjetër po thotë se pati sulm.
Duke folur në një mbledhje të KQZ-së gjatë javës së kaluar, anëtari i Vetëvendosjes në këtë institucion, Alban Krasniqi tha se atë natë ndodhi një “problem teknik”.
Sipas tij, dy persona vendosën të dhëna “përtej asaj që është e logjikshme”.
“Në lidhje me ata që u tha për ditën/natën ezgjdhjeve, ai ka qenë problem teknik dhe kurrë nuk u sqaru mjaftueshëm. Data entry, futja e të dhënave është bërë prej njerëzve të angazhum, që janë njerëz të thjeshtë, sepse edhe sistemi është i thjeshtë. I vetmi gabim ka qenë që dy persona, dy futës të dhënave, kanë fut shifra përtej asaj që është e logjikshme. Derisa është identifiku ky problem, që ka qenë 20-30 për qindëshi i votave kur kjo u shfaq, ajo është kap prej mediave, është bërë publike, shumë mirë, mendoj që të gjithë kanë festu atë natë, edhe kjo nuk ka diçka të keqe, VV ra prap në normalitet dhe vazhduan festat deri në orën 01:00, as për Vit të Ri s’ka pasë” – tha Krasniqi, transmeton Nacionale.
Në anën tjetër, shefi i shtabit zgjedhor në VV, Besnik Bislimi, gjatë një paraqitje të tij të martën foli për sulme ndaj faqes së KQZ-së.
“Jam shumë i lumtur që jam në Poloni sot për të diskutuar sot me kolegët nga ministritë evropiane për një formë shumë të veçantë të kërcënimeve të sigurisë për kontinentin në një moment shumë të rëndësishëm. Ne patëm zgjedhje në Kosovë javën e kaluar dhe kemi përjetuar këtë formë speciale të kërcënimit të sigurisë lidhur me sulmet që i kanë ndodhur faqes së KQZ-së” – tha Bislimi.
KQZ konfirmoi dyshimet
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshik Radoniqi ka deklaruar se me këtë çështje tash po merret policia.
Gjatë mbledhjes, ai kishte thënë se KQZ ka “dyshimet e saj” dhe se të njëjtat janë adrejtuar në polici, kur u pyet nëse dyshojnë se a ka pasur sulm apo ndërhyrje.
“Kjo çështje tash është në duar të policisë dhe prokurorisë, pa e marrë raportin nga ta ne nuk do të japim asnjë informacion, kemi dyshimet tona, por ato dyshime tona janë adresu në polici, policia do ta japë raportin pasiqë të marrim ndonjë përgjigje, edhe ne do ta bëjmë publike” – kishte thënë Radoniqi, transmeton Nacionale.