A e bën shoqëria ligjin apo ligji shoqërinë? - NACIONALE

A e bën shoqëria ligjin apo ligji shoqërinë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shteti - para se të jetë aparat juridik - është formë e organizimit shoqëror. Si i tillë, atij i nevojitet një kornizë rregullash, në mënyrë që të funksionojë. Këto rregulla bëhen nga dhe për njerëzit, që i përkasin një shoqërie. Por, a e bën shoqëria ligjin apo ligji shoqërinë?

Përgjigja në pyetjen e mësipërme varet nga shteti në shtet. Në këtë kontekst, dallohen dy lloje shtetesh:
1. shtetet, ku shoqëria e bën ligjin;
2. shtetet, ku ligji e bën shoqërinë.

Raporti ndërmjet ligjit dhe shoqërisë duhet të jetë i mbështetur në përputhje reciproke; zhvillimet brenda shoqërisë duhet të përcillen me zhvillime legjislative. Por, a janë në raport të tillë zhvillimet shoqërore dhe legjislative në shtetin tonë dhe si shpjegohet që Kosova ka një legjislacion modern, të përafërt me shtetet perëndimore, megjithatë, gjendja në praktikë dallon dukshëm?

Në shtetet perëndimore, zakonisht ndryshimet në legjislacion kanë qenë të paraprira nga ndryshimet në shoqëri. Kjo ka ndodhur për shkak të ngjarjeve madhore, veçmas revolucioneve, por edhe për shkak të lëvizjeve të mëdha, që janë udhëhequr nga mendimtarët e mëdhenj të kohës dhe janë ndjekur nga populli.

Nëse e marrim shembull Francën dhe ndalemi te Revolucioni Francez, do të shohim se fillimisht janë paraqitur disa lëvizje shoqërore dhe më vonë ka pasur ndryshime legjislative.

Revolucioni Francez, që njihet si Revolucioni i 1789-ës, ishte rezultat i faktorëve të ndryshëm (politikë, ekonomikë, financiarë, shoqërorë...) dhe kishte sjellë një shpërthim popullor, që kryesisht ishte drejtuar ndaj mbretit dhe dy shtresave të privilegjuara: klasës feudale dhe klerit.



Franca e asaj kohe ishte monarki, me mbretin që kishte shumë pushtet dhe feudalët, që gëzonin një pushtet të theksuar brenda kufijve të tyre lokalë, së bashku me klerin, që paraqiste një shtresë të privilegjuar, me të drejta të mëdha. Ndër tjera, këto shtresa ishin të liruara nga taksat dhe jetonin në luks, në një kohë kur qytetarët francezë përballeshin me kushte të rënda.

Pas një krize financiare, që ishte edhe rezultat i përfshirjes së Francës në konfliktin ndërmjet Perandorisë Britanike dhe kolonive të vendosura në Amerikë, ku Franca u kishte ndihmuar këtyre të fundit me shuma të mëdha parash, çmimet për produkte të domosdoshme për jetë dhe taksat, po ashtu, ishin rritur në mënyrë të konsiderueshme.

Pakënaqësitë e mëdha të qytetarëve nuk mund të shpreheshin në mënyrë të duhur në parlamentin francez të asaj kohe për shkak të pabarazisë që ekzistonte aty. Udhëheqësit feudalë dhe përfaqësuesit e klerit kishin më shumë vota dhe ishin më të përfaqësuar në numër se shtresa e qytetarëve (përkundër që kjo shtresë përfaqësonte pjesën dërmuese të qytetarëve të Francës) dhe natyrshëm kishin më shumë fuqi brenda parlamentit. Për këtë shkak, qytetarët e thjeshtë s'mund të sillnin ndryshime dhe zëri i tyre nuk prodhonte jehonë të madhe.

Revolucioni i përgjakshëm pati ndikim të madh në legjislacionin francez dhe të shteteve tjera të botës. Bie fjala, në vitin 1789 doli në dritë Deklarata për të Drejtat e Njeriut dhe Qytetarit, e cila parashihte disa të drejta të reja, të cilat nuk ishin njohur më parë nga legjislacioni francez. P.sh., në nenin e parë përmendeshin liria dhe barazia e qytetarëve. Pra, fillimisht qytetarët ishin ngritur kundër pabarazisë dhe ishte krijuar një botëkuptim i përgjithshëm kundër saj, pastaj ishte nxjerrë ky dokument, i cili kishte bërë përpjekje për ta institucionalizuar barazinë. Në nenin e tretë të Deklaratës thuhej se sovraniteti i takon popullit. Më parë, sovraniteti i kishte takuar monarkut. Pra, edhe këtu kishte ndryshuar botëkuptimi shoqëror dhe pastaj kishte ndryshuar legjislacioni...

Ndryshimet e mëdha shoqërore, si rezultat i Revolucionit Francez, u manifestuan me ndryshime të mëdha në Kushtetutën e Francës (1791), e cila eliminoi pabarazitë që kishin ekzistuar më parë, duke përfshirë edhe detyrimet për taksa, të cilat më parë rëndonin vetëm qytetarët dhe garantoi shumë të drejta, të cilat nuk u ishin njohur qytetarëve deri atëherë.

Madje, edhe sot, Kushtetuta e Francës është e ndikuar shumë nga ato zhvillime dhe kjo shihet veçmas në laicitetin, që është karakteristikë e përgjithshme franceze dhe bazën e ka pikërisht mbi pakënaqësitë qytetare ndaj klerit, që gëzonte shumë privilegje në të kaluarën.

Angli, anëtarët e parlamentit kishin frikë të shprehnin mendimet e tyre lirshëm për shkak se mund të arrestoheshin nëse flisnin kundër mbretit. Kjo çoi në nevojën e mbrojtjes së deputetëve, në mënyrë që ata të ushtronin lirshëm të drejtat e tyre. Veçmas, kjo u ndikua nga një vendim për ta dënuar me vdekje deputetin Thomas Haxey, për një nismë legjislative, e cila nuk i kishte pëlqyer mbretit anglez. Sidoqoftë, vendimi nuk u ekzekutua kurrë falë presionit të madh ndaj mbretit. Atëbotë, edhe opinioni ishte bindur tashmë se deputetët duhet të gëzonin një lloj garancie se nuk do të arrestoheshin, dërgoheshin në burg apo vriteshin, për mendimet dhe veprimet e marra në parlament. Këto zhvillime ndikuan në paraqitjen e imunitetit parlamentar, që, prej Anglisë u përhap në të katër anët e botës.

Gjermani, dinjiteti konsiderohet bazë e të gjitha të drejtave të njeriut; ai është i paprekshëm. Nuk është rastësi që neni i parë i Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë fillon me dinjitetin.



Shkaku për këtë gjendet te krimet e shumta të kryera ndaj njerëzve në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, gjë që ka rritur ndjeshmërinë dhe vlerësimin për dinjitetin e njeriut. Pra, shoqëria gjermane e vlerëson jashtëzakonisht shumë dinjitetin dhe mu për këtë arsye ai gjendet i pari në Kushtetutë.

Këta dhe shumë shembuj të tjerë tregojnë se në shumë shtete, të cilat Kosova i ka marrë si model, fillimisht janë pjekur kushtet e janë paraqitur rrethana të caktuara shoqërore dhe pastaj kanë ndodhur ndryshimet legjislative, të cilat u janë përshtatur nevojvave shoqërore. Pra, shoqëria atje ka bërë ligjin në përputhje me nevojat dhe botëkuptimet ekzistuese.

Ndërkaq, në vendin tonë, ligjet moderne i janë servuar një shoqërie konservatore e tradicionale, nevojat, botëkuptimet dhe specifikat e së cilës nuk janë marrë edhe aq shumë parasysh. Kjo mund të jetë arsyeja përse gjendja faktike në Kosovë dallon shumë me gjendjen në shtetet e marra si model dhe efekti e zbatimi i ligjeve dallon dukshëm, përkundër faktit që legjislacioni ynë nuk dallon shumë prej legjislacionit të tyre.

Në Kosovë, shoqëria s'e ka bërë ligjin. Ligji (nuk) është duke e bërë shoqërinë...

Lajme të ngjashme