A do t'i "dhezë" Nenad Rashiqit për herën e tretë?
Dimal Basha, Kryetar i Kuvendi të Kosovës, mbylli seancën konstitutive për 48 orë, pasi të mërkurën Nenad Rashiq, i propozuari i VV-së për Nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, nuk i mori votat e mjaftueshme.
Rashiq, u nxor në short si emër i nominuar, pasi Lista Serbe nuk i ka votat për kandidatn e tyre, në të cilin insistojnë.
PDK-ja po abstenon e LDK-ja nuk po merr pjesë fare në votim, duke theksuar se për tema populiste, VV-ja po e shkel Kushtetutën.
56 vota i mori Rashiq, të gjitha të Vetëvendosjes, dhe partive tjera të komuniteteve joshumicë.
Vet Nenad Rashiq, tha se po e provon “nëse dhez”.
“Kam biseduar me njerëz kompetentë që në aspektin ligjor më kanë sqaru që kjo nuk ëstë shkelje kushtetuese. Prita që kësaj here do t’i kem votat këtë herë. Do të vazhdojmë sikur dje sot e nesër. Unë vazhdoj bisedimet, dhe që thoni ju ‘nëse dhez, dhez’”, tha Rashiq.
Rashiq në Dukagjini tha se është konsultuar me Kurtin para kandidimit.
"Normalisht që kemi biseduar sa i përket kandidimit tim potencial, por kjo ka ndodhur diku, mos gabofsha, në mars pas zgjedhjeve. Kemi debatuar dhe unë, në një moment kur ka dalë kjo temë, kam thënë pse jo, sepse me të vërtetë dua ta prezantoj një fytyrë tjetër të përfaqësimit të serbëve në institucione, jo sikur kemi pasur rastin deri më tani", tha ai.
Lista Serbe i ka vetëm 10 vota, nëntë nga deputetë të vet dhe një nga deputeti goran, Adem Hoxhiq, i cili edhe u përjashtua nga Grupi Parlamentar i AAK-së si pasojë e votimit në linjë me Listën Serbe.
Memli Krasniqi, i Partisë Demokratike të Kosovës, rikujtoi se kjo çështje është prej Planit të Ahtisaarit, që është ingranuar në Kushtetutë të Kosovës, që komuniteti serb e ka të garantuar atë pozitë dhe duhet ta zgjedhin vet.
PDK ka abstenuar në votimin për çështjen e Nënkryetarit serb, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë fare në votim.
Memli Krasniqi, tha se gjendja është kundërkushtetuese me votim e Nenad Rashiqit si Nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, dhe se Albin Kurti po do të shtyrje edhe të mëtejme sepse “nuk po do me dalë mu matë” për Qeveri të Kosovës, përkatësisht me nisje të rrjedhjes së afateve.
“Ne nuk po votojmë jo pse Rashiqi ka qenë ministër, por se kjo formë qysh po e vendosin në votim nuk është kushtetuese. Albin Kurti po mundohet me ble kohë. Ma shumë po mundohet Vetëvendosje për Nenad Rashiqin, sesa për Albulena Haxhiun dhe Dimal Bashën” – tha Krasniqi.
“Nëse zgjedhet Rashiqi e më pas dërgohet në Kushtetuese mundet me u zgjat edhe ma shumë e mos me lanë me rrjedh afatet ligjore për formimin e Qeverisë”, shtoi ai.
Lista Serbe ka bërë të ditur në një adresim për gazetar në holl të Kuvendit se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Nënkryetarit të Kuvendit.
Kjo pasi çështja ka ngecur në pozitën e Nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës, gjë e përcaktuar me Kushtetutë të Kosovës që i takon komunitetit serb.
Këtë post po e synon Nenad Rashiq, që është veç një deputet më vete nga komuniteti serb por i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Lista Serbe do të bëjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese sepse i është shkelur e drejta. Ju bëj thirrje deputetëve të partive tjera si shqiptare ashtu edhe të komuniteteve tjera që të mos votojnë për vendime kundër-kushtetuese”, tha Igor Simiq.