Shtesa tranzitore: Qeveria e dinte se do t'ua ulte pagën shumë punëtorëve, çka kishte menduar për ta?
Ligji i ri i Pagave, me përcaktimin e vlerës së koeficientit prej 105, tashmë e ka marrë një farë forme. Tema kryesore e kësaj të mërkure, e siç duket të paktën deri në fund të muajit shkurt, do të jetë se sa do të jetë paga e atyre që punojnë në sektorin publik
Njëri prej shqetësimeve kryesore mbetet se, a do të marrë dikush më pak para, se sa paga që e ka pasur deri në miratimin e këtij ligji.
E siç duket Qeveria është përkujdesur që kjo të mos ndodhë. Të paktën jo në vitin e parë.
Në nenin 41 të këtij ligji, ekziston një dispozitë që mban emrin Shtesa Tranzitore.
Aty thuhet se nëse një zyrtar public apo funksionar publik, para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ai/ajo do të përfitojë pagën e re sipas këtij ligji dhe një shtesë “tranzitore” të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë.
Pra, kushdo që ka marrë pagë më të madhe, për 1 vit do ta përfitojë këtë shtesë tranzitore, në mënryë që paga e re (nëse është më e vogël me këtë ligj) të mbulohet me këtë shtesë, e të bëhet aq sa e ka marrë më herët.
Pra, duke e lexuar këtë nen, i bie se askush nuk do të marrë pagë më të vogël. Të paktën jo për vitin e parë. Ndërsa për vitin e dytë kjo shtesë është përcaktuar 50%, sepse sipas premtimit të Qeverisë, koficienti do të rritet nga 105 në 110. Por, si do të zbatohen këto dispozita, dhe a do të mbahet edhe premtimi për rritjen e koficientit në vitin e dyte, mbetet të shihet.
