“A do të ketë rrymë ditën që do të votohet?”: Kurtit dhe Murati vërshohen nga komentet e qytetarëve për ndërprerjet e rrymës - NACIONALE

“A do të ketë rrymë ditën që do të votohet?”: Kurtit dhe Murati vërshohen nga komentet e qytetarëve për ndërprerjet e rrymës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qytetarët e Kosovës po përballen me ndërprerje të paprecedenta të energjisë elektrike ndër vite, që zgjasin dhjetëra orë çdo ditë.

Reduktimet kanë prekur edhe qendrat kryesore urbane, duke shkaktuar panik dhe humbje të konsiderueshme financiare për bizneset. Ndërprerjet e përhapura kanë nxitur zemërimin e qytetarëve ndaj qeverisë.

Postimet e fundit në rrjetet sociale nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati janë vërshuar me komente kritike nga qytetarët që kërkojnë llogari nga krerët e ekzekutivit.

Në një video-adresim të fundit, kryeministri Kurti i kërkoi diasporës që të regjistrohen për të votuar, ndërsa vendi vazhdon të ketë ndërprerje të energjisë, me reduktime deri në 14 [pa rrymë] me 1 [me rrymë].

Ndërsa Kurti u bërë thirrje diasporës që të regjistrohen, një qytetar pyeti nëse vendi do të ketë energji elektrike ditën e votimit.

“A do të ketë rrymë atë ditë që do të votohet?”, e pyeti qytetari Kurtin.

Një tjetër kritikoi kryeministrin për prioritetin e regjistrimit të votuesve në vend të zgjidhjes së krizës së energjisë elektrike.

“Rregullo rrymën, pastaj votën”, shkroi qytetari.

Me reagime të ngjashme u përball edhe ministri Murati pasi u mburr për të ardhurat buxhetore rekord.

Një qytetar e sheh absurde krejt situatën ku kreu i Financave flet për rekord të të hyrave buxhetore ndërkohë që vendi përballet me mungesë të rrymës.

“Po valla me gjithë këtë buxhet e rrymë ka 10 orë s’kemi”, komentoi qytetari në postimin e Muratit.

Një tjetër shprehu dëshpërimin e tij me qeverisjen aktuale.

“Rrymë s’po ka askund, na dëshpëruat shumë”, shkroi qytetari.

Përveç reduktimeve, qytetarët u përballen edhe me rritje të çmimeve të energjisë, duke e përkeqësuar ndjeshëm koston e jetesës për familjet kosovare.

Sipas raportit të Bankës Botërore, “Raporti i Vendit për Klimën dhe Zhvillimin”, shumë prej këtyre familjeve përballen me sfida të mëdha për të plotësuar nevojat bazë të konsumit energjetik, duke ndarë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave për të paguar faturat e larta të energjisë.

Sipas raportit, rreth 22 për qind e familjeve kosovare shpenzojnë 10 për qind ose më shumë të shpenzimeve mujore për faturat e energjisë, duke kaluar pragun që zakonisht përdoret për të përcaktuar varfërinë energjetike.

Si pasojë, mbi 40 për qind e familjeve nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpitë e tyre mjaftueshëm të ngrohta gjatë muajve të dimrit.

"Rreth 22 për qind e familjeve kosovare shpenzojnë 10 për qind ose më shumë të shpenzimeve mesatare mujore për faturat e energjisë, një prag tipik për varfërinë energjetike, dhe më shumë se 40 për qind të tjera nuk arrijnë t’i mbajnë shtëpitë e tyre mjaftueshëm të ngrohta.” – thuhet mes tjerash në raport.

Lajme të ngjashme