A do të jetë e treta e vërteta për Albulena Haxhiun dhe VV-në? - NACIONALE

A do të jetë e treta e vërteta për Albulena Haxhiun dhe VV-në?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy herë tentuan të shtunën.

Megjithatë, në të dyja votimet për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk mori më shumë se 57 vota.

E treta e vërteta pritet të jetë sot për Haxhiun dhe VV-në, në seancën që është caktuar të mbahet nga ora 15:00.

Për t’u bërë kryetare e Kuvendit, Haxhiu që për 4 vjet udhëhoqi ministrinë e Drejtësisë, duhet t’i ketë së paku 61 vota.

Nisma Socialdemokrate ditën e shtunën ka abstenuar në dy votime, kurse Duda Balje nuk ka marrë pjesë fare në votim.

Njëjtë edhe Partia Demokratike e Kosovës, përderisa LDK-ja votoi kundër.

Deputeti për të cilin pati shumë diskutime, Veton Berisha, votoi për.

Si rezultat, VV-ja i ka mangu edhe 4 vota për ta kaluar fazën e parë drejt formimit të institucioneve.

Haxhiu ditën e shtunë paralajmëroi se nuk do ta ndërrojnë kandidaturën.

PDK-ja dhe LDK-ja insistuan se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun, kurse AAK-ja bëri të ditur se në VV kanë votë vetëm për Shqipe Selimin ose Saranda Bogujevcin.

Kjo ka bllokuar sërish situatën, pas asaj me komisionin për verifikimin e mandateve.

Zyrtarë të VV-së, përfshirë edhe vartësin e Haxhiut, Blerim Sallahu, kanë paralajmëruar se mund të ketë zgjedhje të reja.

“Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, e kemi përmbushur këtë nen duke e propozuar për kryetare të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu e cila i ka gjithsej 125,327 vota, pra është në 5shen më të votuar në parti dhe gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës. Kësisoj, nesër presim që legjitimiteti dhe legaliteti të jetësohen në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të parandalohet shkelja e serishme Kushtetutës nga ata që tashmë e kanë shkelur Kushtetutën posa kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës! Ndryshe, nëse Kuvendi mbahet i bllokuar atëherë e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Pra, marrëveshje për konstituim dhe shpërndarje të Kuvendit, sepse mungesa e vullnetit opozitar për moskonstituim të Kuvendit nënkupton mospranimm të rezultateve zgjedhore”, ka shkruar Sallahu.

Ditën e shtunë edhe Faton Peci e Glauk Konjufca e kanë lutur opozitën për vota. Kjo duke u arsyetuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë që kryetari i Kuvendit është nga partia që ka më së shumti deputetë.

Megjithatë, VV-ja në të kaluarën, nuk kishte votuar asnjëherë kandidatë të PDK-së ose partive të tjera.

Mbetet të shihet nëse në seancën e sotme do të ketë ndonjë ndryshim të situatës, ose nëse bllokada do të vazhdojë.

Lajme të ngjashme