8 marsi, dita e vetme kur s’duhet t’u blini lule nënave
Çka ndodhi më 8 Mars në histori? Çka kishte ndodhur rrafsh para 10 vjetësh në Kosovë? Duhet t’u blini lule grave apo nënave? Dhe, cili do të jetë "Njeriu i ditës 8 Mars 2022" për gazetën Nacionale?
8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Grave. Pra, është bash ajo ditë në të cilën nuk ju lejohet t’u blini lule nënave. Sidomos jo, nënave. E gjithë kjo, në bazë të mendimit feminist që e sheh rolin tradicional të nënës si një rol të shtypur dhe që promovon shtypje.
Për çudi, një pjesë e madhe e kosovarëve e kanë keqkuptuar këtë ditë duke i dhënë kuptimin e një dite për “nënën”. Jo, është dita e gruas. Dhe, jo e gruas tuaj, por e gruas në vetvete. E çdo gruaje, pavarësisht lidhjes që ju keni me të. Në fakt, është dita që problematizon lidhjet që ju keni me të.
Në Kosovë parashihet një marsh tjetër që kërkon mundësi më të mëdha për gratë, duke marrë parasysh shtypjen sistemike që përjetojnë tash e sa kohë. Veçanërisht problematike kohët e fundit, është edhe dhuna në familje nga e cila po pësojnë kryesisht gratë.
Po më 8 mars është përvjetori i njëmbëdhjetë i nisjes së dialogut Kosovë-Serbi. Gazeta Nacionale ka përgatitur për ditën e sotme disa artikuj që do të trajtojnë këtë temë.
E gjitha kishte nisur në 8 marsin e 2011-ës, kur Edita Tahiri do të takohej në Bruksel si udhëheqëse e delegacionit kosovar me Borko Stefanoviqin, udhëheqësin e delegacionit serb. Në atë kohë quhej “dialog teknik”.
Çka raportohej më 8 mars të vitit 2012, pra 10 vjet më parë?
Për çudi, edhe në atë kohë çështje aktuale ishin “zgjedhjet serbe në Kosovë”. Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE), Samuel Zhbogar, kishte kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale nga Serbia.
Ai për mediet lokale serbe, ka thënë se “do të dëshironte që Serbia të mos organizojë zgjedhje në Kosovë dhe se BE pret nga vendi që është kandidat për anëtarësim të sillet në përputhje me statusin që ka dhe të zgjidhë problemet me dialog, dhe jo njëanshëm.”
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kishin shprehur kundërshtimin e tyre për këto zgjedhje.
Serbia po tenton që edhe zgjedhjet e 3 prillit 2022 t’i mbajë në Kosovë, dhe sërish tensionet për çështjen janë të mëdha.
Më 2 dhjetor të vitit 2012, bota po merrej me një stuhi diellore që ishte nisur drejt tokës. Në anën tjetër, kompania Toyota kishte hequr nga përdorimi 680 mijë vetura, siç raportonte CNN.
Mes atyre që kanë ditëlindjen më 8 mars (1935), është Gary Coleman, një saksofonist i njohur amerikan i xhezit.
https://www.youtube.com/watch?v=soJeQUxR6rE
8 marsi 2022 do të njihet edhe si dita kur gazeta Nacionale nisi me publikim. Prej sot e tutje, me bashkëpunimin tuaj, do të bëjmë gazetari cilësore duke i kontribuuar demokracisë dhe fjalës së lirës.
Njeriu i 8 marsit 2022 do të shpallet në orët e mbrëmjes, po në këtë lajm! E i cili do të përditësohet.
Përditësim:
Njeriu i ditës 8 mars 2022 është secila dhe secili që ka pasur durim t'i shpjegojë secilit/secilës që e ka ngatërruar ditën e nënës me Ditën e Gruas.