7 marsi i mësuesve dhe bimëve
Çka ndodhi më 7 mars historikisht? Cilët janë të famshmit e lindur në këtë datë? Çka ndodhi rrafsh para dhjetë vjetësh në Kosovë? Dhe cili do të jetë njeriu i ditës 7 mars 2022?
7 marsi ka një rëndësi të madhe për shqiptarët. Në këtë ditë, në vitin 1887, u hap Mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe. Vendi ishte Korça. Kujtojmë se kjo ngjarje e madhe për shqiptarët ndodhi në kohën kur Perandoria Osmane ishte në grahmat e fundit, vetëm 35 vjet para kolapsit përfundimtar (1918) por mbi katërqind vjet nën pushtim.
Më 7 mars është dita botërore e bimëve. Në këtë ditë kërkohet të rritet vetëdija për përfitimet e ngrënies së ushqimeve me bazë bimore. Edhe ne ju bëjmë thirrje sot, e përmot, që të shmangni ushqimet e pashëndetshme.
Më 7 marsin e vitit 2012 Kosova po merrej me disa lëvdata që i kishte bërë ish kryeministri britanik i asaj kohe, David Cameron, ish kryeministrit tonë të asaj kohe, Hashim Thaçit.

Në një raport të Parlamentit britanik thuhej se “Kryeministri britanik ka lavdëruar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, për lidershipin e treguar duke shtuar se tani Kosova është në rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, – raportonte Gazeta Express para rrafsh dhjetë vjetësh.
Para shtatë vjetësh, ndërkohë, më 7 mars 2015, raportohej se “askush s’e dinte se kur do të publikoheshin listat finale të veteranëve të UÇK-së.” Ja që çështja në fjalë, vazhdon të na mundojë edhe shtatë vjet pas.
Ndërkohë, 18 vjet më parë, në 7 marsin e 2004-ës, kishin gjetur vdekjen 14 palestinezë në luftimet e bëra në Gaza.
Në Irak në po të njëjtën ditë kishte tensione të mëdha pasi vendi po bëhej gati që të nënshkruante një Kushtetutë të re – e përkrahur nga presidenti i atëhershëm amerikan George W. Bush – kur një raketë kishte goditur një ndërtesë në Bagdad, vetëm pak metra larg vendit ku pritej të mbahej ceremonia. Kushtetuta e Irakut do të hynte në fuqi vetëm më 28 dhjetor të 2005-ës.
Ditëlindjen më 7 mars e ka aktorja e famshme angleze Rachel Weisz (1970) që këtë vit mbush 52 vjet. Merreni me mend, 52. Po ashtu, ditëlindjen e kishte pasur edhe Maurice Ravel (1875), kompozitori i famshëm francez. Po të ishte gjallë, ai do ta kishte thyer rekordin botëror për jetëgjatësi. Ai ka jetuar vetëm 62 vjet, pra deri më 1937.

Ndërkohë, kjo ditë ka qenë e zezë për regjisorin e famshëm amerikan Stanley Kubrick që kishte vdekur më 7 mars 1999 dhe për Shën Toma Akuinin që kishte vdekur 715 vjet para Kubrickut (1274).
Njeriu i ditës 7 mars 2022 është shpallur Rrahman Jasharaj - për mbrojtjen e të drejtave të punëtorit të arsimit. Vlen të theksohet që po në këtë datë, gazeta Nacionale ishte në fazë embrionale dhe ky tekst është produkt i po kësaj faze.
