"51,810 herë të falemnderit": Kica-Xhelili u shpreh mirënjohje mbështetësve - NACIONALE

"51,810 herë të falemnderit": Kica-Xhelili u shpreh mirënjohje mbështetësve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka falënderuar votuesit e saj për mbështetjen e jashtëzakonshme në zgjedhjet e fundit, duke arritur një total prej 51,810 votash të konfirmuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pa përfshirë ende votat me kusht dhe ato nga diaspora.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kica-Xhelili u shpreh krenare për besimin e madh që i është dhënë nga votuesit e LDK-së. Ajo vlerësoi këtë sukses si rezultat të punës së palodhshme dhe angazhimit për vlera të qarta politike.

“51,810 është numri i krenarisë dhe përuljes sime bashkë! KQZ ka konfirmuar se në nivel vendi, kam marrë 51,810 vota, pa përfshirë votat me kusht dhe të mërgatës.

Ky rrugëtim nuk ishte fare i lehtë! As i parashikueshëm, as i zakonshëm. Në krejt këtë rrugëtim, për mua ishte qenësore të mbes vetja, pavarësisht çmimit.

Një mik më pat thënë të kem kujdes, sepse kur e vërteta thuhet para kohës, digjet. E kuptoja gjithmonë këtë rrezik! Por, proceset nëpër të cilat po kalon Kosova nuk janë as lehtësisht të rikuperueshme as të tejkalueshme.

Më shumë se kurrë, na duhet që Kosovën tonë të përhershme t’a ruajmë nga të përkohshmit brenda saj. Ndërkaq, e vërteta megjithatë kuptohet nga më shumë se ç’e mendojmë.

Por kjo mbështetje ndaj meje nuk do të materializohej kurrë pa ata që më të palëkundshmin e kishin besimin në mua.

Falënderimi i parë, dhe i shenjtë, është për ju që më mbështetët deri në pesëfishim të votës! Kjo m’a shton përgjegjësinë e përgjegjshmërinë ndaj jush e LDK-së! Ju jam falënderuese përjetë!” – shkroi ajo mes tjerash.

Kica Xheliku ka falënderuar edhe kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, për mbështetjen dhe reformat brenda LDK-së, të cilat, sipas saj, e kanë bërë më të fuqishme partinë.

“Falënderime e vlerësime kryetarit e të pandalshmit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili jokonvencionalen e ktheu në të pranueshme e të bëshme. Në sy të një të ardhmeje më të mirë për LDK-në e Kosovës - sepse e pranuan ose jo, LDK e dobët shkakton Kosovë të dobët - vendosi që në reformat e domosdoshme për partinë, t’i ipte hapësirë pikërisht edhe të vërtetës sime.

E vetëdijshme që nuk e kishte të lehtë - ndjehem e përmbushur që besimin e tij arrita t’a arsyetoj. Arritët ju, të dashur votues të LDK-së, t’a konfirmoni si të duhur!” – tha ajo.

Lajme të ngjashme