25 vjet RTK: Televizioni publik i mbushur me ushtrues detyre
Në një video-promo të publikuar nga Radiotelevizioni i Kosovës me rastin e 25-vjetorit të këtij televizioni, shihet drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla, vite më parë si punëtor në RTK. Teksa i shpjegonte diçka një delegacioni të huaj, më së shumti sekonda në këtë promo, janë rezervuar për ish-anëtarin e Vetëvendosjes, tash drejtor i televizionit në RTK.
Nuk dihet nëse edhe në atë kohë Rilind Gërvalla ishte mbështetës i partisë në pushtet. Ajo që dihet është se një nga pozitat e rralla që është me emërim të rregullt është pozita e drejtorit të televizionit të cilën e mban Rilind Gërvalla.
Në ditën kur Televizioni Publik i Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit, shumica e funksioneve më të rëndësishme në televizionin publik nuk kanë udhëheqës. Në fakt, udhëheqës kanë, por me ushtrues detyre. Në disa raste madje, për vite të tëra.
Që nga dorëheqja e Shkumbin Ahmetxhekajt, pozita e drejtorit të Përgjithshëm në RTK ka mbetur e lirë. Ahmetxhekaj që kishte dhënë dorëheqje u pasua nga Zana Spahiu, e cila u dorëhoq pas skandalit me lajmin e rrejshëm që RTK-ja e transmetoi kundër Nacionales. Që nga ajo kohë, funksionin e drejtorit e kryen Adrian Krasta në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës, njeriu i afërt me komisaren e VV-së, Dejona Mihali.
Përveç pozitave menaxheriale, me U.D janë edhe pozitat më të larta në hierarki. Aktualisht, RTK-ja është pa kryeredaktor. Në fakt, kryeredaktor ka, por edhe ata me ushtrues të detyrës. Me U.D janë të mbuluar këto pozita edhe në televizion edhe në Radio Kosova. Javë më parë, kryeredaktore në televizion ishte Leonora Bërbatovci, njëra nga personat përgjegjëse për lajmin e rrejshëm të Slobodna Bosnës, e cila tash u pasua në atë pozitë nga Milaim Shefkiu. Kjo pozitë është me U.D për të paktën 3 vjet.
Njëra prej pozitave më të rëndësishme në RTK, që ndër vite për të ishte bërë shumë zhurmë, është ajo e Udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta. Edhe kjo pozitë, tash e një kohë të gjatë është me ushtrues detyre.
Me ushtrues detyre është edhe pozita e udhëheqësit të produksionit dhe ajo e administratës në RTK. Pavarësisht disa tentimeve, personat me mandat të rregullt nuk u emëruan tash e një kohë as në këto pozita.
Me U.D është edhe Njësia e Audimit. Aktualisht RTK-ja e ka shpallur konkursin për udhëheqës, megjithatë, nuk ka ndonjë vendim për emërimin e dikujt.
Aq shumë ka pozita me U.D në televizionin publik, sa pa udhëheqës me mandat janë edhe kameramanët dhe montazherët. Nacionale ka mësuar se të dy këto pozita, udhëheqen nga persona me ushtrues detyre. Kohë më parë madje, ishte raportuar se shef i kameramanëve është bërë vëlla i deputetes Jeta Statovci.
Televizioni Publik javët e fundit ishte përfshirë në një prej skandaleve më të mëdha të propagandës ndaj mediumeve që janë opozitë e pushtetit.
Duke përdorur një lajm të rrejshëm në një portal boshnjak, RTK-ja akuzoi Nacionalen dhe Periskopin se financohen nga Serbia.
Tre anëtarë të bordit dhanë dorëheqje pas këtij zhvillimi, por nuk u prek njeriu i Albin Kurtit në RTK, Rilind Gërvalla.
Gërvalla skandalin e kishte arsyetuar me faktin se këtë informacion e kisht e marrë nga AKI-ja, por që një gjë e tillë nuk u pranua kurrë nga udhëheqësit e inteligjencës.