25 vjet Kosovë e lirë
25 vjet më parë, Kosova ishte çliruar përfundimisht nga forcat serbe. Për nder të kësaj dite të shënuar të historisë së shtetit të Kosovës, janë paraparë disa aktivitet të ndryshme. Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne e Forca e Sigurisë së Kosovë (FSK) do të parakalojë në sheshet e Prishtinës. Në anë tjetër, tashmë kanë filluar urimet e miqve tanë për këtë ditë.
Qendra Presidenciale Clinton ka uruar Kosovën për Ditën e Çlirimit. Ish-presidentit amerikan, Bill Clinton ishte kryesori që çoi në intervenimin e NATO-s dhe çlirimin e vendit.
Në urimin e tyre, thuhet se para 25 viteve NATO i dha fund një dekade të shypjes, spastrimit etnik dhe luftës në Kosovë.
“Njëzet e pesë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara i udhëhoqën aleatët e NATO-s në një fushatë ajrore që me sukses i dëboi forcat serbe, duke i dhënë fund një dekade të shtypjes dhe një fushate brutale të spastrimit etnik, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Veprimi ushtarak e ndihmoi rivendosjen e vetëqeverisjes për provincën dhe çoi në pavarësi për Kosovën më 2008.” – ka shkruar në rrjetin social “X” Qendra Presidenciale Clinton
E për këtë gjë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, me rastin e urimit të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Ish-presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, ishte kryesori për intervenimin e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.
Clinton ka uruar këtë ditë, teksa presidentja Osmani e ka falënderuar.
“…dhe Republika e Kosovës ju falënderon, zoti President, që e keni bërë të mundur këtë paqe.” – ka shkruar Osmani në rrjetin social “X”.
Çka pritet sot?
Ndërkohë edhe Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne.
Kjo seancë do të mbahet për shënimin e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit. Seanca do të mbahet nga ora 10:00.
Në 25-vjetorit, përveç një seance të Kuvendit të Kosovës, është paraparë edhe një parakalim i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky parakalim do të mbahet nga ora 12:00 dhe pritet të kalojnë rreth 1 mijë e 500 ushtarë.
“1500 do të jetë numri i pjesëtarëve të FSK-së që do të parakalojnë në shesh me rastin e përvjetorit të Ditës së Çlirimit” – thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Gjithashtu për ndër të kësaj ditë, janë organizuar edhe pritje shtetërore.
Presidentja Osmani, kryeministri Kurti e kryetari Konjuca, nga ora 17:00, do të organizojnë pritje shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit.
Kjo është agjenda shtetërore:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kabineti i Presidentes, ora 09:15)
Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)
Për nder të Ditës së Çlirimit të Prizrenit, mbahet ceremonia e përurimit të “Kalasë së UÇK-së”. (Fshati Leskovec, Prizren, ora 11:00)
Për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, bëhet parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Ekspozohen sisteme të ndryshme të armatimit. (Nisja nga objekti i Qeverisë deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hapin ekspozitën “Rizgjimi në vlerat Kombëtare, Kosova Republikë”. (Biblioteka Kombëtare, Prishtinë, ora 12:00)
Zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. (Sheshi “Tony Blair”, Ferizaj, ora 14:00).
Përurohet Kulla e Lirisë, e cila simbolizon lirinë dhe sakrificën e popullit të Kosovës. (Krushicë e Epërme, Suharekë, ora 15:00)
Në nder të 25-vjetorit të Çlirimit organizohet pritje shtetërore nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. (Grand Events, Ora 17:00)
Organizohet koncert festiv publik në nder të 25-vjetorit të Çlirimit. (Sheshi Zahir Pajaziti, Prishtinë, ora 18:00)