24 vjet në kërkim të drejtësisë
Data 14 prill nuk është fort e zakonshme, sidomos tash e tri vjet, për një pjesë të grave të Kosovës, të cilat kanë përjetuar tmerrin nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë - dhunimin.
Kjo pasi në vitin 2019, u vendos që po në këtë datë, të 14 prillit, të shënohet dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ani pse rrëfimi i grave që kanë përjetuar dhunimin, mbetet ende temë tabu për të folur publikisht, nga afërsisht 20 mijë persona sa thuhet që janë dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 98-99, hiç më shumë se 3 gra, me zë të dridhur e me emocione shumë të forta, kanë rrëfyer publikisht për maltretimin e dhunimin e bërë nga serbët.
Cilat janë gratë që dolën e folën publikisht për dhunimin?
U bë gruaja e tretë pas Marte Tunaj dhe Vasfije Krasniqit, që doli publikisht e që foli për krimet mizore që serbët bënë në Kosovë gjatë luftës së viteve 98-99. Dëshmitë për agresionin serb të kryer mbi popullatën civile, vrasjet, dhunimet, po dëshmohen edhe pas 24 viteve luftë në vend.
Për dhunën seksuale, dëshmitë e atyre që e kanë përjetuar, vazhdojnë të trokasin në ndërgjegjen e secilit. Përveç margjinalizimit nga familja, rrethi e shoqëria, gratë kosovare që kanë qenë viktima të dhunës seksuale nga serbët, pak përkrahje po marrin dhe nga shteti.

Krimet që kurrë nuk u ndëshkuan
Të kthehemi edhe pak te gruaja e tretë që folëm më lart, e cila publikisht ka treguar për dhunimin mbi trupin e saj nga serbët.
Bëhet fjalë për zonjën Shyrete Tahiri-Sulimani. Përveç dhimbjes shpirtërore, te kjo grua dhemb edhe mosveprimi i institucioneve për të hedhur dritë me drejtësi për ata që kryen këtë akt.
Dy dekada e gjysmë pas luftës për këtë rast nuk është dënuar as edhe një person i vetëm.
“Drejtësia për mua është lirim i shpirtit tim nga një ëndërr e tmerrshme. Më keq se të presësh nuk ka, më besoni. Ne jemi duke pritur që sa e sa kohë... një orë është shumë, një ditë është shumë, e lëre më që sa vite. Nuk ka drejtësi. Është e tmerrshme”, kishte thënë Tahiri-Sulimani.
Megjithatë, institucionet kosovare që kanë të angazhuar katër prokurorë për krimet e luftës, e kanë bërë veç një punë të mirë. Në vitin 2021 ia dhanë 10 vjet burg, ish-rezervistit të policisë serbe, Zoran Vukotiq. Vukotiq, sipas Prokurorisë Speciale të Kosvoës, tashmë e vuan dënimin për kryerjen e dhunimit seksual, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve dhe Torturës, pak të kënaqur me punën e drejtësisë karshi dhunuesve
Por, pak të kënaqur janë me punën e institucioneve të Drejtësise në rastet e dhunuesve që kurrë nuk u dënuan, në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
‘’Kërkesa për drejtësi është një kërkesë që i bren të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale, por në veçanti edhe familjarët e tyre. Kjo krejt për faktin se ky krim i pandëshkuar, me dashje ose padashje, ia vë fajësinë viktimave dhe fajësija nuk shkon te ai që e meriton dhe e ka bërë krimin gjatë luftës. Ne kemi veç një rast që e ka marrë dënimin, por për ne ka qenë rast historik. Ne i ftojmë institucionet që të jenë më përkrahëse, e sidomos ato të Drejtësisë që të punojnë më shumë që krimet të zbardhen’’, thotë për gazetën Nacionale drejtoresha e kësaj Qendre, Feride Rushiti.
Në këtë ditë, kjo Qendër ka disa kërkesa për Qeverinë. Që datën 14 prill ta njohë si ditë zyrtare për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe ndryshimin e emërimit të komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Sepse mendojnë që fjala verifikim është stigmatizuese për viktimat.
Komisionit qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të viktimave të dhunës seksuale i skandon mandati edhe pak
E kur jemi te Komisioni qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, së shpejti të njëjtit i përfundon mandati.
Por, kryeministri Kurti sot gjatë ditës e konfirmoi vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vazhdimin e mandatit të këtij komisioni.
E avokati i Popullit, Naim Qelaj, për gazetën Nacionale tha se Komisionet e kësaj natyre duhet të jenë të përhershme.
‘’Unë mendoj që Komisionet e kësaj natyre duhet të jenë të përhershme. Nuk duhet kufizuar në kohë, sepse ajo që ka ndodhur nuk mund të ndryshohet, dhe statusi i këtyre personave nuk mund të ndryshohet vetëm pse nuk kanë arritur ta paraqesin kërkresën e tyre për me iu njohtë kjo e drejtë, ky status, dhe për shkak se Komisioni nuk ka arritë me i trajtu të gjitha rastet’’ tha avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Në shënim të kësaj dite nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani, u hap ekspozita me punimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës
Gjatë kësaj ekspozite ku përmes artit u shfaq dhimbja e tmerri që kanë përjetuar këto gra, presidentja Osmani tha se nuk do të ndalen asnjëherë së kërkuari drejtësi.
‘’Heshtja për këto krime nuk ka vend në përpjekjet tona për drejtësi, sepse drejtësia do të jetë e qëndrueshme vetëm atëherë kur kriminelët që kryejnë këto krime do të ballafaqohen me drejtësinë’’, tha presidentja Osmani.

Në Kosovë nga 20 mijë persona që thuhet të jenë dhunuar nga forcat serbe në Kosovë, 1,048 kanë marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, bazuar në një ligj të miratuar në vitin 2014.
Përderisa para 3 viteve, u vendos që data 14 prill të jetë dita kur do të kujtohen të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo u vendos, gjatë një vizite të bërë në vendin ku ndodhi dhunimi i Vasfije Krasniqit Godman.
