22:00 – Mirazhi i fundit i "përpjekjeve" për konstituimin e Kuvendit - NACIONALE

22:00 – Mirazhi i fundit i "përpjekjeve" për konstituimin e Kuvendit

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Në kuadër të përpjekjeve për themelimin e Kuvendit të Kosovës, takohemi sonte në orën 22:00”

Gjëja themelore në republikën parlamentare – shumica, iu mungoi për plot 52 herë. Një numër i madh i tentativave shkuan huq, me Lëvizjen Vetëvendosje që insistoi – në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese – në themelimin e një Komisioni për votim të fshehtë.

Tragji-komedia disa muajshe s’e ndali kryesuesin e seancës, Avni Dehari, që, edhe pas dështimit të 52-të, të kumtoi kërkesën e fundit të deputetit Albin Kurti për një seancë tjetër konstitutive – një seancë që zor se do të prodhojë rezultat, por për të kapitalizuar si përpjekjeje për t'i dhënë zgjidhje ngërçit institucional.

Mbledhja në orën 10 të mbrëmjes pritet të shënojë tentativën e dytë – brenda ditës – antikushtetuese të partisë së parë, në një përpjekje për krijimin e këtij komisioni, ndonëse e ka të garantuar votën e disa prej partive opozitare për disa nga deputetët e tjerë të koalicionit VV-Guxo-Alternativa, në rast të rikthimit në votimin e hapur.

Për opinionistin Imer Mushkolaj, vendimi i Vetëvendosjes për këtë orar ka për qëllim krijimin e përshtypjes se po bëhen përpjekje të mëdha për konstituimin e Kuvendit.

Sipas tij, VV ka caktuar këtë orë me qëllimin që të duket se po angazhohen deri në momentin e fundit, ndërkohë që, sipas tij, ka kaluar më shumë se tre muaj dhe kanë manipuluar me popullin duke imponuar Albulena Haxhiun si opsionin e vetëm.

“VV ka caktu seancë për orën 10 të mbramjes veç me e kriju përshtypjen që po bon çmos, deri në momentin e fundit, me e konstituu Kuvendin. Ndërkohë, qe tre muj e gjysë ka bo hajgare me nji popull, tu e imponu Albulena Haxhiun si të vetmin opcion. Poshtërsia ka emër!” – tha Mushkolaj.

Eugen Cakolli nga KDI-ja u shpreh gjithashtu pesimist se nga kjo seancë do të prodhohet ndonjë rezultat. Ai pyeti se, nëse urgjenca ishte aq e madhe, pse nuk pati përpjekje më herët për të dalë nga bllokada politike.

"(Përkundër dëshirës e shpresës për ta parë Kuvendin e konstituuar) Seanca e gati-mesnatës, edhe pse brenda afatit kushtetues, vështirë se përcjell ndjesinë e seriozitetit apo të një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Nëse urgjenca ishte kaq evidente – siç është dashur të jetë që në fillim – pse nuk pati më herët përpjekjet e vërteta për dalje nga bllokada? Përndryshe, a ka sinjale për “ardhjen e ndonjë vote”, apo thjesht po mbahet një seancë për të thënë nesër se gjithçka u provua?" – tha ai mes tjerash.

Që nga aktgjykimi i Kushtetueses, Vetëvendosje, përveç që refuzoi të refuzohej në praktikën e votimit të hapur, këmbënguli në një veprim të hapur antikushtetues duke insistuar në votim të fshehtë – ku ekonomisti Hekuran Murati, pas çdo seance, manipulonte qëllimisht interpretimet, duke ngatërruar praktikat parlamentare.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese iu dha deputetëve të Kuvendit afat tridhjetëditor për të përmbyllur konstituimin e institucioni më të lartë të demokracisë parlamentare në vend, në dritën e një ngërçi institucional prej muajsh – me Lëvizjen Vetëvendosje që refuzon të tërheqë kandidaturën e Albulena Haxhiut, pavarësisht se u mungonin numrat.

Lajme të ngjashme