18 të lënduar, përmbledhje e lajmeve të aksidentit që dje tronditi Kosovën - NACIONALE

18 të lënduar, përmbledhje e lajmeve të aksidentit që dje tronditi Kosovën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka kohë që në Kosovë nuk ka ndodhur një aksident aq i madh në trafik se sa ai që e pamë mbrëmjen e 20 marsit.

Rreth orës 19:05 në fshtin Grabanicë-Klinë, në rrethana ende të mjegullta, katër vetura ndeshen me njëra tjetrën. Si pasojë, lëndohen 18 persona.

"Sot (të dielën) rreth orës 19:05, Policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodh në fshtin Grabanicë-Klinë, në këtë aksident kanë qenë të involvuara 4 vetura dhe si pasojë e këtij aksidenti 18 persona kanë pësuar lëndime trupore, të lënduarit janë dërguar me autoambulancë dhe me vetura private në Spitalin Rajonal në Pejë, për tretman mjekësor", tha Fadil Gashi të dielën mbrëma për Nacionalen.

Në mesin e të lënduarve janë edhe dy gra shtatëzëna. Detaje për Nacionalen dha doktori emergjencës në spitalin e Pejës Shkelzen Elezaj.

“Po janë dy gra shtatzana, njëra është në Gjinekologji dhe njëra në Ortopedi. Për momentin gjendja e tyre është stabile dhe nuk ka pasur diçka rrezik për jetë”, ka thënë Elezaj.

Ai tutje shtoj se në spitalin e Pejës po qëndrojnë gjithsej pesë pacientë dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.

Ndërsa tre të tjerë janë në gjendje më të rëndë dhe janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

“Gjithsej këtu në Pejë janë të shtrirë pesë pacientë, dy në Ortopedi, dy në Kirurgji edhe një në Gjinekologji edhe tre janë transferu në QKUK - njëri është me thyrje të eshtrave në ekstremitete të poshtme edhe njëri është me lëndime të eshtrave të fytyrës, por janë në gjendje stabile”, i ka thënë gazetës Elezaj e pak minuta më vonë, Spitali i Përgjithshëm në Pejë, ka konfirmuar lajmet e Nacionales, duke thënë se asnjë nga pacientët e lënduar nuk janë në rrezik për jetë.

Siç shkruan spitali përmes faqes zyrtare, nga 18 pacientët e pranuar, 5 kanë mbetur në spitalin e Pejës për trajtim të mëtutjeshëm, tre prej tyre janë dërguar në QKUK për ekzaminime më të detajuara, ndërsa pjesa tjetër, pra 10 sosh, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

E si pasojë e aksidentit dy nga të lënduarit i janë nënshtruar operacioneve mbrëmë në Qendrën Klinikë dhe Universitare të Kosovës [QKUK].

Nacionale gjatë ditës, do t’ju sjellë detaje të hollësishme për gjendjen e tyre shëndetësore dhe arsyet se përse ndodhi ky aksident.

Lajme të ngjashme