15 vjet shtet - NACIONALE

15 vjet shtet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, Kosova shënon 15-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt të vitit 2008, vendi përmes një seance të jashtëzakonshme solemne me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane e shpalli Pavarësinë e saj.

Por, përpjekjet e saj për mëvetësi nisën së paku tri dekada më parë. Megjithëkëtë shqiptarët refuzuan t’I nënshtrohen regjimit agresor serb duke nisur të ndërtojnë sisteme të qëndrueshme në shëndetësi, arsim sport e kultorë.

Çka ndodhi në 17 shkurtin e vitit 2008?

Të gjithë u mbodhën në seancën e jashtëzakonshme të thirrur në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Por atë kohë, pak kush e dinte se ajo ditë do ta shënonte kthesën më të rëndësishme të shtetësisë së vendit.

Në orën 15:38 në seancën e Kuvendit ku merrnin pjesë 109 nga 120 deputetë, Kuvendi I Kosovës njëzëri e shpalli Kosovën shtet të pavarur, Sovran e demokratik.

Por, ligjshmëria e shpalljes së Pavarësisë së vendit u bë pastaj temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Çka pritet të ndodhë sot?

Tashmë është bërë publike Agjenda Shtetërore për shënimin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë.

Aktivitetet, priten të fillojnë qysh në mëngjes e do të zgjasin deri në mbrëmje.

Dita do të fillojë me një mbledhje festive të Qeverisë në orën 08:00 të mëngjesit që do të pasohet me ngritje solemne të flamurit të Kosovës, 20 minuta më vonë.

Tutje do të vazhdohet me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te Adem Demaçi dhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancë solemne derisa një orë më vonë, prej orës 12:00 të mesditës, do të fillojë parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin e kryeqytetit.

Kremtimet e Ditës së Pavarësisë do të përfundojnë me një koncert përmbyllës.

Ndërkaq, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka prezantuar edhe videon e pavarësisë në vigjilje të 17 shkurtit, ditës së shpalljes së Kosovës shtet.

Në të shihen shumë figura të lartësuara të shtetit tonë, nga fusha e kulturës e sportit. Ndërsa, në sfond dëgjohet kënga “Mos i leni dritat fikur”, nga Sabri Fejzullahu.

Lajme të ngjashme